Konfirmohet dorëheqja e Fadil Sahitit si kryetar i Bashkimit

E publikuar: 05/11/2018 13:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryesia e klubit të basketbollit të Bashkimit ka njoftuar edhe zyrtarisht rreth dorëheqjes së kryetarit të deritanishëm, Fadil Sahitit.

Ky i fundit kishte deklaruar se është larguar nga skuadra prizrenase shkaku i problemeve me lojtarët dhe disa anëtar të kryesisë së klubit.

E në bazë të statutit të klubit, portokallezinjtë kanë emëruar si ushtrues detyre të kryetarit, Rini Shpendin, i cili së fundmi ishte anëtarë në kryesinë e klubit.

Rini si ish basketbollist i KB Bashkimi ishte kyçur në klub për të kontribuar në stabilizimin e klubit si në aspektin institucional ashtu edhe në aspektin sportiv.

Ndryshe, Bashkimi ka pësuar edhe një humbje në vazhdën e rezultateve të dobëta që ka arritur gjatë këtij sezoni duke u mposhtur nga Trepça.

Kujtojmë se gjatë sezonit të kaluar Bashkimi ishte shpallur kampion i Kosovës për herë të parë në 73 vjet të ekzistencës së ekipit. /Telegrafi/