Konferenca me Thaçin, Nishani: Shqipëria do ta mbështesë gjithmonë Kosovën

E publikuar: 03/10/2016 11:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas takimit të zhvilluar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka mbajtur edhe një konferencë për media.

Nishani theksoi se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë forcuar edhe më shumë falë bashkëpunimit në disa fusha, si arsimi, bujqësia etj.

“Në takimet që patëm përcollëm gjithçka që Shqipëria dhe Kosova kanë arritur. Shprehim respektin dhe mirënjohjen për kontributin e presidentit Thaçi për Kosovën, për shtetin më të ri të rajonit, i cili po ecën më ritme shumë të shpejta. Vlerësuam me nota pozitive dinamikën e bashkëpunimit, ku një rol të përbashkët kanë luajtur edhe takimet e përbashkëta mes dy shteteve. Thaçi ka luajtur një rol kyç dhe domethënës për konsolidimin e këtyre takimeve mes vendeve. Shqipëria do të mbështesë integrimin e Kosovës në të gjitha organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Procesi i integrimit të Kosovës do të konfirmojë dimensionin e lirisë”, deklaroi ai.

 Ndërsa presidenti Thaçi theksoi se ka besim të plotë se Shqipëria do të jetë zëri shtesë i Kosovës.

“U jam shumë mirënjohës, e njoh dhe e vlerësoj shumë kontributin tuaj. Kam besim të plotë se Shqipëria do të jetë zëri shtesë i Kosovës. Ne jemi në rrugë të mbarë dhe do të plotësojmë njëri tjetrin në rrugën tonë euroatlantike. Inkurajojmë qeveritë e dy vendeve të rrisin angazhimet. Shoh vullnet dhe gatishmëri”, tha Thaçi.