Komuna e Skenderajt do të shpërndajë pako ushqimore për 3000 familje me rastin e Fitër Bajramit

E publikuar: 13/05/2020 15:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot Shtabi Emergjent i komunës së Skenderajt ka mbajtur mbledhjen e radhës, për koordinimin e veprimeve të mëtutjeshme më qëllim të parandalimit të infektimit me virusin Covid-19.

“Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i cili njëherësh është edhe Udhëheqës i Shtabit Emergjent, njoftoi anëtarët për situatën aktuale me COVID-19.
Ai njoftoi se nga 6 të prekurit sa kanë qenë në Skenderaj, të gjithë janë shëruar duke rezultuar kështu negativ në të gjitha testet e bëra.

Në anën tjetër për t`iu dalë në ndihmë familjeve në nevojë, Jashari bëri të ditur se nga buxheti i ndarë nga komuna për menaxhimin e kësaj situate, janë furnizuar me pako ushqimore rreth 1300 familje, kurse nga përkrahja e donatorëve janë shpërndarë rreth 2000 pako ushqimore”, thuhet në njoftimin për media.

Jashari deklaroi se komuna që ai udhëheq, nga buxheti vetanak dhe nga përkrahja e donatorëve në prag të festës së Fitër-Bajramit do të shpërndajë rreth 3000 pako ushqimore për familjet në nevojë.