Komitetit Olimpik të Kosovës i ndahen 230 mijë euro

E publikuar: 29/03/2017 12:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Komitetin Olimpik të Kosovës, me qëllim të mbështetjes financiare që KOK-u të realizojë objektivat dhe synimet e saj.

Memorandumi i nënshkruar sot, parasheh që MKRS-ja kryen obligimet që të mbështesë KOK-un në vlerë prej 230 mijë euro për vitin 2017, shumë e cila do të paguhet në katër pjesë përbrenda vitit, transmeton Klan Kosova.

Në komunikatën e lëshuar nga kjo ministri thuhet se obligim i KOK-ut është që këtë buxhet ta shfrytëzojë për zhvillimin e politikave programore në fusha si: avancimin e sportit femëror, mjekësinë sportive, aktivitetet sportive ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit, për zhvillimin e aktiviteteve sportive për komunitetet pakicë dhe multietnike, aktiviteteve sportive për personat me aftësi të kufizuara dhe për zhvillimin e kapaciteteve menaxhuese në kuadër të KOK-ut dhe federatave të sportit.

Ministri Kujtim Shala tha se kjo përkrahje financiare do të jetë në funksion të ngritjes së cilësisë së sportit në vend, masivizimit të tij dhe ngritjes se kapacitete profesionale në fushën e sportit.

Në anën tjetër, kryetari i Komitetit Olimpik, Besim Hasani, e falënderoi ministrinë për përkrahjen e dhënë duke thënë se memorandumi i nënshkruar sot është në vazhdën e bashkëpunimit të vazhdueshëm në mes të qeverisë dhe këtij komiteti.