KIPRED: Liberalizimi i vizave do ta ndalte vetëm migrimin ilegal

E publikuar: 07/04/2015 17:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) dhe Syri i Vizionit (SiV) kanë publikuar raportin “Kosova drejt BE-së, Sfida e Migrimit të Parregullt”.

Kjo analizë e politikave është pjesë e serisë së publikimeve në kuadër të projektit të KIPRED dhe SiV “Përmbushja e kërkesave të BE-së për qeverisje të mirë, për integrimin e mëtejshëm Evropian të Kosovës”, të financuar dhe përkrahur nga Komisioni Evropian, Zyra Ndërlidhëse e BE-së në Prishtinë.

Sipas raportit, për Kosovën, perspektiva e BE-së ka vazhduar të jetë e vështirë.

“Ndërtimi i shtetit të Kosovës vazhdon të jetë i papërcaktuar, me 5 shtete anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e saj. E kushtëzuar me kërkesat e BE-së për Kosovën dhe Serbinë që t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe që ta rrisin bashkëpunimin rajonal, Kosova ka qenë e zënë në procesin e dialogut që nga viti rëndom duke lënë mënjanë si të pazgjidhura shumë nga çështjet e brendshme. Pavarësisht shpresave të elitës politike të Kosovës për të përshpejtuar liberalizimin e udhëtimit të lirë për qytetarët e Kosovës për në BE, Kosova vazhdon të jetë vendi më i izoluar në rajon”, thuhet në raport.

Si rrjedhojë, shtohet më tej, raporton Telegrafi, rrjedhës masive të migrantëve i kanë kontribuuar faktorë të ndryshëm të migrimit, të cilët kanë qenë të ndërlidhur me nivelin e izolimit me të cilin përballen qytetarët e Kosovës.

Andaj, konsiderohet në raport, regjimi i lirë i vizave me vendet anëtare të BE-së do ta ndalte migrimin e parregullt, por jo edhe vetë migrimin.

“Kosova vazhdon të vuajë nga korrupsioni sistemik, që shpesh herë është i përkeqësuar nga mitosja e zyrtarëve të lartë qeveritarë, nepotizmi në punësim dhe nga mjedisi i pasigurt për biznese. Sipas Transparency International, Kosova është e ranguar e 110-ta, me rezultat prej 33 pikësh në indeksin e perceptimit të korrupsionit, që atë e vë në të njëjtin nivel me vendet më së paku të zhvilluara. Për më tepër, Kosova vazhdon të mbizotërohet nga politizimi i sektorit publik dhe mungesa e mundësive të barabarta në punësim”, thuhet më tej në raport.

Sa i përket mundësive të punësimit, sipas raportit, mundësitë e kufizuara në punësim e përkeqësojnë mjedisin edhe ashtu të pasigurt për bizneset e vogla kosovare.

“Korrupsioni, nepotizmi, dhe mundësitë e kufizuara vazhdojnë t’i ndikojnë edhe investimet e huaja në Kosovë. Për shembull, Banka Qendrore e Kosovës ka raportuar që në gjysmën e parë të vitit 2014 Investimet e Huaja Direkte në Kosovë ishin 110.1 milionë euro, që është 32.9 për qind më pak krahasuar me shifrën përkatëse për vitin 2013”, thuhet ndër tjerash në raport.

Në fund, KIPRED-i i propozon rekomandimet për përmirësimin e përgjithshëm të përmbushjes së kërkesave të BE-së në luftimin e migrimit të parregullt.

Ndër to është edhe ai që Qeveria duhet urgjentisht të finalizojë raportin e tretë mbi Pasqyrën e Zbatimit të Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave, në mënyrë që të përshpejtohet monitorimi dhe vlerësimi i BE-së rreth përmbushjes së kërkesave të liberalizimit të vizave nga ana e Kosovës.

Gjithashtu shtohet se Qeveria duhet ta miratojë një Profil të freskuar dhe të Zgjeruar të Migrimit dhe t’i ofrojë statistikat e veta zyrtare për numrin e personave që kanë migruar muajt e fundit. Analiza strategjike duhet të jetë pjesë e çfarëdo reagimi të ardhshëm të qeverisë në adresimin e migrimit të parregullt.

“Shtetet e BE-së duhet ta përshpejtojnë liberalizimin e vizave për Kosovën. Të vetmit përfitues nga izolimi i Kosovës vazhdojnë të jenë kontrabandistët dhe grupet e organizuara kriminale të vendeve të rajonit, dhe posaçërisht të atyre nga Kosovës dhe Serbia. Regjimi i lirë i vizave me shtetet anëtare të BE-së do ta ndalte migrimin e paligjshëm, edhe pse nuk do ta ndalte migrimin si të tillë. Ashtu siç e kanë dëshmuar përvojat paraprake të vendeve me udhëtim të lirë të vizave në BE, numri i migrantëve është rritur paralelisht me liberalizimin e vizave”, thuhet në njërin nga rekomandimet tjera të KIPRED. /Telegrafi/