Kina: Të dhënat e reja, numri i rasteve asimptomatike vazhdon të rritet

E publikuar: 17/05/2020 17:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kina raportoi sot pesë raste të reja të coronavirusit, më pak se një ditë më parë kur u raportuan tetë, por ekspertët e shëndetit paralajmërojnë se rreziku i një valë të dytë të infeksionit të COVID-19 mbetet i lartë.

Dy nga pesë rastet e reja janë të ashtuquajturat infeksione të importuara, ndërsa tre raste kanë të bëjnë me transmetimin lokal në qytetin verilindor kinez të Jilin, transmeton Telegrafi.

Numri i rasteve të konfirmuara të infeksionit në territorin e Kinës tani është 82.947, ndërsa 4,634 njerëz të infektuar me coronavirus kanë vdekur.

Transmetimi lokal i infeksionit në Jilin u bë në një pjesë të qytetit që zyrtarët kinezë e kanë caktuar si zonë me rrezik të lartë për COVID-19, dhe janë futur masa të intensifikuara që lejojnë që vetëm një person nga familja të dalë dhe të sigurojë furnizime gjatë ditës.

Qytetarët këshillohen që të mos largohen nga qyteti, dhe kushdo që detyrohet ta bëjë këtë për ndonjë arsye duhet të tregojë një test negativ të bërë në 48 orët e fundit.

Shumë raste asimptomatike

Jilin është qyteti i dytë më i madh kinez në provincën me të njëjtin emër, i cili kufizohet me Korenë e Veriut dhe Rusinë. Provinca pezulloi përkohësisht trafikun e trenave të pasagjerëve të mërkurën.

Në të njëjtën kohë, 12 raste të reja asimptomatike të coronavirusit u identifikuan, thanë autoritetet.

Këshilltari shëndetësor i qeverisë kineze Zhong Nanshan i tha CNN të shtunën se rreziku i një valë të dytë të infeksionit të coronavirusit mbetet i lartë. /