KFOR-i nuk sheh kërcënim të drejtpërdrejtë, shqetësohet me retorikën

E publikuar: 11/02/2019 08:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë është e vendosur të ruajë ambientin e sigurt, pavarësisht zhvillimeve politike dhe tensionimeve të mundshme, që aktualisht rrezikohen të nxiten nga përshkallëzimi i gjuhës dhe retorika politike. Kështu ka thënë komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori italian Lorenzo D’Addario, në intervistën për “Kohën Ditore”.

Ai konsideron se momenti aktual ofron mundësi për një zgjidhje politike, por insiston se kjo është punë e politikanëve, ndërsa ushtarakët e kanë punë të analizojnë çdo skenar ashtu që të mos zihen në befasi, shkruan sot “Koha Ditore”.

KD: Janë bërë më shumë se dy muaj tani që jeni këtu, dhe secili komandant i KFOR-it e ka pasur perceptimin e tij se cili do të jetë misioni i tij gjatë mandatit. Mendoj se secili prej tyre madje ka pasur emërtimin, moton e vet, të misionit që kanë dashur ta përmbushin gjatë qëndrimit të tyre këtu. Cili është i juaji?

D’AddarioE saktë. Ju faleminderit. Në rend të parë dua të them se, po, jam këtu tash e dy muaj e gjysmë dhe ka qenë shumë qetë pasi që jam kthyer, pasi që kam qenë këtu më 1999 dhe më 2004.

Janë këto dy përvoja, të cilat më kanë dhënë një shije të dy situatave të ndryshme, kur kam menduar se KFOR-i është dëshmuar relevant, në mënyra të ndryshme. Por një gjë tjetër që do të doja ta thosha është se vërtet jam kënaqur me mikpritjen dhe ngrohtësinë e popullit dhe madje edhe të institucioneve, do të mund të thosha.

Keni të drejtë, secili komandant e zgjedh një moto dhe kur unë erdha e zgjodha: “Të bashkuar në përkushtim”, si moton time.