Këshilli Organizativ: Komuna e Prishtinës duhet t’i largojë materialet

E publikuar: 14/02/2016 16:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilli Organizativ për shënimin e 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, përmes një komunikate për media, ka akuzuar drejtuesit e Komunës së Prishtinës se po e sabotojnë shënimin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe po manipulojnë me këto festime.
Këshillit thotë se Komuna e Prishtinës është e njoftuar zyrtarisht për aktivitetet që do të zhvillohen me rastin e shënimit të 17 shkurtit, qoftë përmes përfaqësueses së Komunës në Këshill, e cila ka marrë pjesë në takim më datë 2 shkurt, por edhe përmes komunikimit zyrtar që nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu, ka zhvilluar me përfaqësuesit e Këshillit, komunikim i cili mund të bëhet publik nëse ka nevojë.

Këshilli Organizativ për shënimin e 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës thekson më tej se Komuna e Prishtinës është njoftuar në detaje për aktivitetet, shumica dërrmuese e të cilave do të zhvillohen në kryeqytet dhe në përputhje me përvojën e të kaluarës dhe kalendarin festiv, organet lokale tash e sa ditë është dashur të përkujdesen për të stolisur sheshin kryesor të kryeqytetit me flamuj, siç ka bërë edhe në rastet tjera.

“Qëndrimet e përfaqësuesve politikë të Komunës së Prishtinës, se 17 shkurti është “festë fiktive” dhe më pas qëndrimi se kjo është festë shtetërore, që nuk duhet të shënohet nga komunat, ofendojnë qytetarët e Republikës si dhe për përpjekjet shekullore të brezave të tërë të njerëzve që punuan, luftuan dhe sakrifikuan gjithçka për arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, theksohet në këtë reagim.

Andaj, sipas Këshillit, Komuna e Prishtinës, “duhet që sa më parë ta lirojë sheshin kryesor të Prishtinës nga materialet propagandistike dhe fyese të një subjekti politik, të vendosura me iniciativën e saj, dhe që në vend të tyre të vendos flamujt dhe simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe mjetet tjera dekoruese, për të krijuar atmosferë festive për qytetarët që do ta frekuentojnë këtë shesh”.

Këshilli Organizativ, në fund ka bashkëngjitur edhe agjendën e festimeve, e cila thotë se është edhe publike për të gjithë opinionin e gjerë, për shënimin e 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.