Kërkohet marrja e masave që të ulet numri i vdekjeve në punë

E publikuar: 04/07/2018 16:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje ka alarmuar me rritjen e numrit të vdekjeve në punë. Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku-Mulhaxha, tha se çdo vdekje e punëtorit në vendin e punës duhet ta vrasë ndërgjegjen e shoqërisë.
Por, sipas saj, vdekja e një të mituri siç është ajo e Seldin Aliajt është tragjedi kombëtare, transmeton Express.

Në një konferencë për media, ajo ka bërë thirrje për ndryshimin e dy ligjeve në fuqi, Ligjin e Punës dhe Ligjin për Sigurinë dhe shëndetin në punë që të plotësohen dhe ndryshohen.

Kollçaku shtoi se punëtorët për më tepër nuk e kanë as sigurimin jetësor që e bënë edhe më të rrezikshëm sigurinë në punë.

“Çështja më urgjente është të ndryshojë Ligji i Punës dhe Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë. Në veçanti kur kanë të bëjnë me monitorimin dhe zbatimin vërtetë të këtyre ligjeve në praktikë. Kush është sot përgjegjës për vdekjen në punë, duke filluar nga Ministria dhe ministri e deri të punëdhënësi. Secili i ka obligimet dhe detyra e veta. Ministria t’i nxjerrë ligjet ashtu që të jenë ligjet që krahasohen me ligjet në Evropë ku i garantohet siguria dhe shëndeti në punë një punëtori dhe inspektorati që mbikëqyr zbatimin e ligjeve, deri të punëdhënësi i cili është i detyruar të siguroj masat e mbrojtjes dhe sigurisë në punë”, tha Kollçaku.

Sipas saj, punëdhënësi duhet të sigurojë të gjitha kushtet punëtorëve duke ulë rrezikun për aksidente me fatalitet në punë.

Derisa, ka kritikuar për mungesë të inspektorëve të cilët do të mbikëqyrnin zbatimin e ligjeve në përpikmëri në mënyrë që të ulej numri i vdekjeve në punë.

“Detyrë e inspektoratit përveç tjerave është që t’i monitoroj të gjitha këto a po i kryen këto obligime që ka punëdhënësi. Ne e dimë që ka një numër të vogël të inspektorëve dhe ky është një defekt i madh. Obligimi i Qeverisë është që të krijoj mundësi, ta rrisë buxhetin për shtimin e numrit të inspektorëve sepse 41 inspektor dhe shtatë koordinator regjional nuk janë të mjaftueshëm. Është për habi që mungon buxheti kur kemi nevojë për rritjen e kapaciteteve monitoruese që është esenciale, do të thotë me një numër të vogël të inspektorëve është e pamundur. Punëdhënësi më i madh është sektori privat ku fatkeqësisht edhe me së shumti ka shkelje të dispozitave ligjore”, theksoi ajo.

Një rol të madh luan edhe Kuvendi i Kosovës, prej të cilit institucion, Kollçaku tha se do të bëjnë gjithçka që të jetë prioritet çështja e sigurisë së punëtorëve në punë.