Kërkesa e Lajçakut për asociacionin, Haxhiu: Hoti, asistent i Isa Mustafës

E publikuar: 11/10/2020 16:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-ministrja e Drejtësisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu, ka reaguar pas deklarimeve të emisarit evropian për dialogun Miroslav Lajçak se Kosova duhet të implementojë asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se një presion i tillë mund t’i bëhet vetëm kryeministrit Avdullah Hoti.

Diplomati sllovak kërkesën e tij e ka ‘arsyetuar me atë se marrëveshja është nënshkruar nga vetë pala kosovare’, por ai nuk e ka përmendur faktin se asociacioni bie ndesh me 23 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe si i tillë është i pazbatueshëm.

E Albulena Haxhiu në një postim në Facebook thotë se Avdullah Hoti ‘është shumë i përshtatshëm për presion’, madje e ka quajtur edhe asistent të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

“Vetëm qeverisë së LVV nuk mund t’ia kërkojnë asociacionin, meqenëse ne e kemi kundërshtuar edhe në vitin 2013, por edhe në vitin 2015. Hoti është tejet i përshtatshëm për t’i bërë trysni pasi që është asistent i Isa Mustafës, nënshkruesit të ‘Zajednices’ më 25 gusht 2015, në dokumentin ku kërkohej vetëm parafrimi”, ka shkruar Haxhiu.

Ndryshe, kryeministri Hoti ka thënë se asociacioni është temë e mbyllur për Kosovën dhe se nuk do të diskutime për këtë çështje në tavolinën e bisedimeve me palën serbe në Bruksel.