Katër amendamente të Serbisë në projektrezolutën e KE-së për Kosovën

E publikuar: 08/12/2015 23:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në takimin e Komiteti politik në Bruksel është biseduar për projektrezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën.

Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe delegacioni nga Serbia udhëhequr nga shefja e delegacionit Aleksandra Gjuroviq e cila ka propozuar katër amendamente të cilët, sipas medieve serbe, edhe janë pranuar.

Në mesin e amendamenteve të pranuara është edhe ai që e fton Kosovën të zbatojë dispozitat e Marrëveshjes së Brukselit lidhur me formimin e Asociacionit të Komunave serbe, ndërsa nuk përmenden amendamentet tjera.

Vazhdimi i dialogut Beograd – Prishtinë krahas perspektivës evropiane për të dy palët dhe forcimin e respektimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimi të ligjit në Kosovë, janë me rëndësi vendimtare për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, vlerësohet në këtë projektrezolutë për Kosovën të cilën në janar do ta shqyrtojë Asambleja Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Në projektrezolutën të cilën dje njëzëri e miratoi Komiteti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për çështje politike e demokraci, theksohet se prioriteti i parë i Kosovës duhet të jetë respektimi i sundimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, është publikuar sot në sajtin e Këshillit të Evropës, transmeton Koha.net.

“Përhapja shumë e madhe e korrupsionit të pranishëm në të gjitha fushat e shoqërisë, në të gjitha nivelet e pushtetit, jurisprudencë e ekonomi, ka ndikim negativ në jetën e banorëve të Kosovës, pa marrë para sysh cilës bashkësi i përkasin”, theksohet në këtë projektrezolutë.