Karateistët provojnë “sportin serb” – diskriminimin

E publikuar: 10/05/2018 08:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Ne e lidhim Evropën”. Kjo ishte motoja e shkruar në autobusin me të cilin karateistët e Kosovës të mërkurën dy herë ia mësynë pikës kufitare në Merdar. Dhe ngjarjet e së mërkurës, që në Kosovë ishte ditë pushimi për shkak të Ditës së Evropës, dëshmuan se “lidhja” me Evropën është e brishtë. Përfaqësuesja e Kosovës në karate mbeti jashtë kampionatit evropian që të enjten (sot) nis në Novi-Sad të Serbisë.

Karateistët e Kosovës nuk janë lejuar që të hyjnë në Serbi, sipas një vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, shkruan sot Koha Ditore.

Shteti i Serbisë nuk lëshoi pe lidhur me hyrjen e karateistëve kosovarë, ndonëse gjatë ditës në këtë proces janë përfshirë organizatat më të mëdha sportive ndërkombëtare, si Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe Federata Botërore e Karatesë. U bënë dy udhëtime të karateistëve të Kosovës nga Prishtina për në pikëkalimin kufitar me Serbinë në Merdar.

Udhëtimi i parë u bë në mëngjesin e hershëm, në orën pesë. Karateistët, por edhe shumë prej drejtuesve, që të gjithë së bashku ishin rreth 30, ishin të veshur me tuta sportive të përfaqësueses, në të cilat qartë shiheshin simbolet e shtetit të Kosovës. Paraqitja në pikën kufitare me tuta, me shenja të Kosovës, u tha më pas që ishte prej arsyeve pse u ndalua hyrja. Kështu udhëtimi i dytë Prishtinë – Merdar u bë nga karateistë dhe zyrtarë të veshur me rroba civile.

Prapë shumica ishin me tuta, por jo me ato të Kosovës, por me tuta personale. Për herë të dytë karateistët për në Merdar, me synim për t’ia mësyrë Novi-Sadit të Serbisë, u nisën pak pas orës 17:00./koha.net/