Kallëzimi penal për 22 policë – amnisti për urdhërdhënësit e dëbimit të “gylenistët”

E publikuar: 16/08/2019 19:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Forma e raportimit për kallëzimet penale që Inspektorati Policor i ka bërë për 22 policë, në rastin e dëbimit të 6 shtetasve turq, nuk i ka pëlqyer Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Në reagimin e saj, një ditë më vonë, kjo sindikatë ka akuzuar mediat për linçim të kolegëve të tyre.

“Është brengosëse se si ata pa fajin e tyre, prezantohen dhe linçohen pa bazë, edhe pse ende nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat e hetimit lidhur me këto raste. Në këto raste, zyrtarët policorë kanë zbatuar procedurat e parapara me dispozitat ligjore, Ligjin për Policinë, Ligjin për të Huajt dhe ligjet e tjera në fuqi, procedurat e parapara dhe asgjë tjetër”

Megjithatë, komisioni parlamentar që kishte hetuar këtë ngjarje, kishte gjetur të paktën 5 shkelje ligjore të zyrtarëve policorë në rastin e dëbimit. E të njëjtat ishin evidentuar edhe në raportin e tyre të miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Pavarësisht kësaj, tani ish-kryetari i këtij komision, Xhelal Sveçla, i ka thënë KTV-së se ka indikacione që përgjegjësit kryesorë për këtë rast të amnistohen.

Sveçla, për Prokurorinë ka thënë se pistë kryesore duhet ta kenë presidentin Hashim Thaçi dhe eprorë që kanë dhënë urdhra të jashtëligjshëm.

“Është e qartë tendenca që për shkeljet e shumëfishta në rastin e arrestimit dhe deportimit të jashtëligjshëm të 6 shtetasve turq, të ndëshkohen nivelet poshtë, të cilët kanë zbatuar urdhrat e jashtëligjshëm të eprorëve, me idenë që të shpëtohen urdhërdhënësit, Hashim Thaçi dhe sejmenët e tij. Kjo, jo vetëm se nuk është drejtësi, por është poshtërsia e radhës e Hashim Thaçit. Është koha e fundit që Thaçi drejtpërdrejt të përgjigjet për fajet e tij, e jo si deri tani të shpëtojë pa therë në këmbë, e me të tjerët përreth të dëmtuar. 3. Pista kryesore për hetim është Hashim Thaçi me ekipin e tij të ngushtë. Kësaj radhe, nuk do të lejojmë që ai të shpëtojë ata që do afër tij, e të sakrifikojë ata që i leverdis. Ai, duke qenë përgjegjësi kryesor, duhet të mbajë përgjegjësinë më të madhe”, ka thënë Xhelal Sveçla, ish-kryetar i komisionit hetimor.

Derisa anëtari tjetër i këtij komisioni, Frashër Krasniqi, ka mirëpritur veprimet e IPK-së për këtë rast, ka kërkuar nga prokuroria të marrë për bazë gjetjet e raportit.

Prokuroria Speciale nuk i ka kthyer përgjigje televizionit se ku kanë mbërritur hetimet për këtë rast dhe nëse janë intervistuar persona të tjerë.

Përndryshe, raporti i komisionit hetimor parlamentar, kishte evidentuar 31 shkelje të legjislacionit në fuqi në rastin e dëbimit kundërthënës të shtetasve turq nga Kosova, njëri prej të cilëve, gabimisht.