Joshua nuk do të ndeshet me Pulevin në prill, rriten gjasat për superduelin ndaj Wilder

E publikuar: 22/11/2018 06:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anthony Joshua nuk do të përballet me Kubrat Pulevin në Wembleyn më 13 prill, ka konfirmuar Federata Ndërkombëtare e Boksit (IBF).

Gjatë verës që lamë pas, kampioni i WBA, WBO dhe IBF zhvilloi bisedime intensive për një duel unfikues me kampionin e WBC-së, Deontay Wilder.

Deontay Wilder (Foto: Jayne Kamin-Oncea/Getty Images/Guliver)

Mirëpo, negociatat dështuan dhe më 22 shtator, britaniku u përball me sfiduesin obligativ, Alexander Povetkin, të cilin e mposhti në raundin e shtatë me nokaut.

Duke qenë se është kampion në divizione të ndryshme në kategorinë e peshave të rënda, AJ duhet që kohë pas kohë të zhvillojë meçe të detyrueshme nga organizatat e ndryshme për t’i mbrojtur titujt.

Kjo ka bërë që dy meçet e fundit të Joshuas të jenë kundër Carlos Takam (IBF) dhe Povetkin (WBA).

Është spekuluar se sfiduesi i tij mund të jetë i pari në listën e IBF, Pulev. Boksieri bullgar e mposhti Hughie Furyn në një duel final eliminator më 27 tetor, kështu që në një të ardhme mund të përballet me kampionin e unifikuar, Anthony Joshua.

Anthony Joshua (Foto: Richard Heathcote/Getty Images/Guliver)

Megjithatë, nga IBF kanë thënë për talkSPORT se meçi i radhës i britanikut do të jetë për mbrojtjen e titullit WBO dhe i pari në listë është Dillian Whyte. Mirëpo, ai është alternativë në qoftë se nuk ndodh supermeçi ndërmjet AJ dhe Wilder.

Në ndërkohë, boksieri amerikan është i preokupuar me duelin ndaj Tyson Furyt që do të zhvillohet me 1 dhjetor dhe e ka të garantuar rimeçin në rast se humb.

Kjo do të jetë hera e tetë që Wilder e mbron titullin WBC dhe fitorja do ta bënte favorit për t’u ndeshur me Joshuan në muajin prill dhe dueli do të zhvillohej për unifikimin e titujve dhe shpalljen e kampionit të padiskutueshëm. /Telegrafi/