Ja çfarë thotë kryeministri Mustafa për takimin me kancelaren Merkel

E publikuar: 01/07/2015 15:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka folur të mërkurën për vizitën në Gjermani dhe takimin me kancelaren Merkel, problemet në dialogun me Serbinë, vrasjet në Kumanovë dhe çështje tjera.
Ai në një intervistë për Deutche Welle thotë se kjo ka qenë një vizitë tepër e rëndësishme, sepse fjala është për një vend të fuqishëm evropian, i cili jo vetëm që ka ndikim në politikat evropiane, por edhe në ecuritë ekonomike dhe politike mbarëbotërore.

“Gjermania ka ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës ekonomike dhe ligjore të Kosovës. Gjermania është një vend i cili na ka mbështetur shumë në procesin e dialogut me Serbinë, duke vënë kritere të caktuara dhe duke kërkuar implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Për ne është me rëndësi që të kemi kontakte sa më të ngushta të mundshme me Gjermaninë, sepse kjo ndihmon zhvillimin tonë demokratik dhe proceset evropiane…”, tha Mustafa.

Se cilat kanë qenë kërkesat dhe sugjerimet kryesore të kancelares Merkel për vazhdimin e rrugës së demokratizimit të Kosovës dhe afrimit me BE, Mustafa tha se në takimin me kancelaren u tha se duhet të punojmë edhe më shumë në forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sepse Gjermania dhe vendet e tjera nuk janë të kënaqura me nivelin e luftimit të këtyre dukurive në Kosovë.

Kryeministri i vendit ka folur edhe për çështjen e Gjykatës Speciale.

“Orientimi i qeverisë së Kosovës është që ta ri-procedojmë këtë proces në Kuvend. Posa të kthehemi në Kosovë ne do ta ulemi të bisedojmë me grupet parlamentare, do ta trajtojmë këtë çështje në Kuvend dhe do të bisedojmë individualisht edhe me deputetë. Do ta bashkërendisim këtë çështje edhe me përfaqësues diplomatikë në Kosovë, sepse ky është një obligim edhe ndaj faktorit ndërkombëtar. Kushtetuta nuk e ndalon që një çështje të rikthehet në Kuvend për votim, ose do të bëjmë ca ndryshime të vogla në propozimet për ndryshimet kushtetuese por që nuk e ndryshojnë substancën e kërkesës për ndryshime. Ne duhet të krijojmë sa më parë një ambient për votimin e këtyre ndryshimeve, sepse duhet të përmbushim obligimin tonë, duke siguruar dy të tretat e votave sa janë të domosdoshme për ndryshimet e Kushtetutës”, tha kryeministri Mustafa.

Kreu i Qeverisë së Kosovës po ashtu ka folur edhe për bisedimet me Serbinë, duke shprehur besimin se marrëveshjet mund të arrihen.

“Ne i kemi prezantuar edhe në takimin me kancelaren Merkel çështjet për të cilat kemi më shumë vështirësi për të arritur marrëveshje me serbët. Por hapësirë për marrëveshje ka sepse për këto tema jemi duke punuar në dy vitet e fundit. Jemi shumë afër edhe për arritjen e marrëveshjes për lirimin e kalimit mbi lumin Ibër. Pala serbe më shumë po taktizon për shtyrjen e marrëveshjeve, se sa që ka argumente për këtë”, tha Mustafa.

Kryeministri ka folur edhe migrimin e kosovarëve, duke thënë se mesazhi i kancelares Merkel ishte shumë i qartë, se Gjermania nuk do t’i jap azil askujt nga Kosova.

Mustafa është shprehur edhe për ngjarjet që kanë ndodhur në Kumanovë, duke thënë se i vjen keq për atë që ka ndodhur.

“Neve na vjen keq për atë që ka ndodhur në Kumanovë dhe që atje kanë shkuar njerëz nga Kosova. Na vjen sepse kanë atje kanë shkuar njerëz dhe kanë humbur jetën. Ndërkohë që Kosova nuk ka qenë dhe nuk është e interesuar të destabilizojë Maqedoninë, apo të përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë. Ne dëshirojmë që atje të ketë stabilitet dhe që të implemenohet në tërësi marrëveshja e Ohrit dhe të ndërtohen marrëdhënie të mira ndëretnike. Unë kam biseduar dy herë me kryeministrin Gruevski dhe nuk ka probleme sa i përket marrëdhënieve mes vendeve tona. Kemi shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojmë me autoritete e Maqedonisë për të evituar çdo mundësi të destabilizimit të këtij vendi, sepse duan që bashkërisht t’i kontribuojmë paqes në rajon”, tha ndër të tjera, kryeministri Mustafa./t/