Ivanoviç: Portugalia e Ronaldo nuk janë të pandalshëm

E publikuar: 27/03/2015 12:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Luzitanët e Fernando Santos aktualisht pozicionohen të dytët në grupin I në kuotën e 6 pikëve.

Vëmendja e të gjithë shqiptarëve të Dielën e 29 Marsit do të jetë e përqëndruar te sfida e kombëtares kuqezi përballë Armenisë në Elbasan Arena, por po të Dielën do të zhvillohet edhe një ndeshje tjetër shumë e rëndësishme për fatet e skuadrave në grupin I kualifikues të Euro 2016. Në Estadio Da Luz të Lisbonës do të vihen përballë njëra-tjetrës Portugalia dhe Serbia. Luzitanët e Fernando Santos aktualisht pozicionohen të dytët në grupin I në kuotën e 6 pikëve, ndërsa Serbia ndan vendin e fundit me Armeninë me vetëm 1 pikë të grumbulluar. Por edhe pse Portugalia shihet favorite në këtë sfidë pasi ka në skuadër futbollistin më të mirë të Botës, pikërisht Cristiano Ronaldon, kapiteni dhe lojtari me më shumë përvojë në kombëtaren serbe mbrojtësi i Chelsea-it, Branislav Ivanovic mendon se skuadra e tij i ka mundësitë për të ndalur fituesin e Topit të Artë dhe për të dalë me tre pikë nga sfida e Estadio Da Luz.

“Po flasim për një nga futbollistët më të mirë të Botës, dhe të ndalësh Cristiano Ronaldon nuk është asnjëherë e thjeshtë. Të ruash një nivel shumë të lartë vit pas viti do të thotë ti vendosshës vetës prova shumë të vështira, por Ronaldo po e arrin dicka të tillë. Ai është një djalë që është mësuar të jetojë në presion por gjithmonë ka ditur sesi të reagojë. Cristiano është një lojtar i jashtëzakonshëm por ne do të bëjmë gjithcka për të ndalur atë”.

Më pas Ivanovic u përqëndrua te ndeshja e kësaj të Diele. Sipas tij për Serbinë sfida ndaj Portugalisë është thelbësore nëse dëshiron të shpresojë te një kualifikim i mundshëm në Francë 2016.

“Kjo ndeshje do të vendosë shumë për të ardhmen tonë në këto kualifikuese. Akutalisht ne duhet të kishim grumbulluar më shumë pikë por nuk ja kemi arritur dhe fitorja në Portugali është vendimtare. Ne e dimë që ata hynë në këtë përballje si favoritë dhe janë ekip shumë i fortë. Por nuk duhet harruar as fakti që Portugalia humbi në shtëpi përballë Shqipërisë, kështu që edhe ne do të kemi shanset tona përballë tyre. Nëse shfaqemi në versionin tonë më të mirë unë mendoj se mund ta mposhtim Portugalinë”.