Ish Presidenti i Perusë Kuczynski, nën hetime për korrupsion

E publikuar: 25/03/2018 16:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me kërkesë të prokurorëve, të shtunën autoritetet në Peru kontrolluan shtëpinë dhe një tjetër pronë të ish Presidentit Pedro Pablo Kuczynski në Lima. Ndërkohë, një gjykatës peruane ka vendosur kufizime mbi udhëtimet e ish Presidentit Kuczynski, i cili po hetohet për korrupsion.

Ish Presidenti 79 vjeçar i Perusë, Pedro Pablo Kuczynski është duke u hetuar për pagesa me vlerë 782,000 dollarë amerikanë që firma e tij konsulente ka marrë një dekadë më parë nga Odebrecht, gjiganti ndërtimor brazilian në qendër të skandalit më të madh të mitmarrjes në Amerikën Latine.

“Ata po mbledhin dokumentacionin, sepse kanë autorizim për mbledhjen e dokumentave bankare dhe tatimore. Ne mund ta kishim kundërshtuar këtë, sepse nuk është pezulluar rregulli për sekretet bankare dhe tatimore, por ideja është që të tregojmë transparencë absolute. U pajtuam që të vihen kufizime mbi udhëtimet jashtë vendit dhe tani po i lejojmë që të mbledhin të gjitha dokumentet që mund t’u duhen, edhe nëse nuk është bërë kërkesa për heqjen e sekreteve bankare dhe tatimore”, tha Cesar Kakazaki, avokat i ish Presidentit peruan.

Gjatë kontrollit, Presidenti Kuczynski u vizitua nga Sekretari i Shëndetësisë në largim Abel Salinas, i cili e vizitoi atë në cilësinë e mjekut, për të kontrolluar shëndetin e ish presidentit pas një problemi me tensionin e ulët të gjakut, sipas avokatit të Kuczynskit.

Kuzynski është ish presidenti i katërt peruan që hetohet për mitmarrje nga kompania e ndërtimit, Odebrecht.

Disa nga pagesat në fjalë ndodhën kur ai ishte ministër, duke ngritur pyetje nëse ato janë bërë në këmbim të favoreve politike. Ish investitori i Wall Street-it ka mohuar të gjitha akuzat për shkelje. Ai kohët e fundit dha dorëheqjen nga posti i Presidentit për shkak të këtij skandali.

Një ish President është aktualisht në burg ndërsa një tjetër, Alejandro Toledo, në qeverinë e të cilit Kuczynski shërbeu si ministër i financave, ka refuzuar të kthehet në Peru nga Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat për korrupsion.