Interneti celular, Shqipëria ndër vendet me koston më të ulët për GB

E publikuar: 06/03/2019 14:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shqipëria hyn në listën e vendeve me koston më të ulët të internetit celular sipas një studimi të publikuar nga Cable.co.uk.

Në fakt mbarë Evropa Lindore falë prezencës së një infrastrukture të mirë rrjetesh kanë koston më të ulët të internetit celular.

Edhe pse me vende fqinje si Greqia që kanë një prej interneteve celulare më të kushtueshme në botë me 32.71 dollarë për 1GB, shqiptarët paguajnë vetëm 3.22 dollarë për 1GB.

Vendi i ynë renditet i 68-ti në listën me 230 vende të botës për nga kostoja e ulët.

Nga 33 plane tarifore të matura në fund të vitit të kaluar, kostoja më e ulët për 1GB në Shqipëri fillon nga 0.68 dollarë deri tek më e shtrenjta prej 13.18 dollar për 1GB.

Vendet fqinje si thuajse të gjitha kanë kosto të më të lartë të internetit celular. Konkretisht në Malin e Zi 1GB kushton mesatarisht 4.26 dollarë; në Maqedoni 1GB kushton 3.62 dollarë; në Serbi 4.83 dollarë për 1GB; në Bullgari 7.15 dollarë dhe Bosnje 3.58 dollarë për 1GB.

Rreth botës, kostoja më e lartë e internetit celular i përket Amerikës së Veriut, Afrikës dhe Evropës.

India është shtëpia e internetit celular më të lirë botë ku 1GB kushtojnë vetëm 0.26 dollarë ndërsa në Zimbabve është më e larta për 75.20 dollarë për 1GB.

SHBA-ja si një prej vendeve më të zhvilluar në botë vjen në vendin e 182 me kosto prej 12.37 dollarë pë 1GB. Raporti i publikuar nga Cable.co.uk ka analizuar mëse 6,000 plane tarifore mobile.

10 vendet me koston më të ulët të internetit celular rënditen si mëposhtë:

  1. India $0.26
  2. Kirgistan $0.27
  3. Kazakistan $0.49
  4. Ukrainë $0.51
  5. Ruandë $0.56
  6. Sudan $0.68
  7. Sri Lankë $0.78
  8. Mongoli $0.82
  9. Mjanmar $0.87
  10. Kongo $0.88