Iniciohet rikthimi i amnistisë së propozuar nga Ivanov

E publikuar: 02/12/2019 15:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një nismë në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 11 që ka të bëjë me anulimin e të drejtës së presidentit për të tërhequr faljen, ka mobilizuar shumicën parlamentare për të anuluar nenin 11 që do ta shpallte të pavlefshme të drejtën e kreut të shtetit për të falur zyrtarë të lartë të akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Në fakt, ish-presidenti Gjorge Ivanov, më 12 prill të vitit 2016, kishte amnistuar rreth 60 ish zyrtarë të lartë, përfshirë ish kryeministrin, Nikolla Gruevski, ministra, deputetë e funksionarë tjerë të lartë të akuzuar nga Prokuroria Speciale për vepra të rënda penale.

Por, pas presioneve të shumta si brenda ashtu edhe jashtë vendit, Ivanov nga mesi i muajit maj tërhoqi këtë amnisti të kontestueshme edhe në aspektin ligjor.

Megjithatë, tre vjet pas këtyre ngjarjeve, Gjykata Kushtetuese ka pranuar një nismë nga një avokat i ish të akuzuarve me të cilën kërkohet që të shpallet e pavlefshme tërheqja e amnistisë së ish presidentit dhe të gjithë ata që po gjykohen apo që janë dënuar të lihen të lirë.

Por, kundër kësaj ka dalë Kuvendi që përmes një interpretimi tjetër po tenton të parandalojë një vendim të mundshëm të Gjykatës Kushtetuese për të lënë të lirë ish zyrtarët.
Nga opozita kanë thënë se janë kundër çdo amnistie, por kanë kushte për të mbështetur nismën e partive në pushtet.

“VMRO DPMNE-ja dhe unë nuk mbështesin asnjë amnisti dhe do të mbështesim të gjitha proceset, por me kusht që të mbështeten dy kërkesat tona, e para që të gjitha ata që në një farë mënyre janë amnistuar në politikë që të mos merren më me politikë dhe e dyta që amnisti në të ardhmen fare të mos ketë, në veçanti për njerëzit që merren me politikë”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski duke theksuar se nisma mund të jetë skenar i pushtetit si përgatitje për ndonjë amnisti të ardhshme.

“Zaevi dhe LSDM-ja po imponojnë temën e Gjykatës Kushtetuese pasi po bëjnë përgatitjen e terrenit për ndonjë amnisti të Zaevit dhe të njerëzve të tij të pushtetit e që duhet ti bëjë presidenti i ri Pendarovski, pasi kanë frikë për aferat në të cilat tani janë përfshirë”, thotë Mickovski.

Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev, ka drejtuar një sërë akuzash ndaj gjykatësve duke theksuar se shteti ende është i kapur prej tyre. Zaev ka ftuar komisionin antikorrupsion që urgjentisht të nisë punën për kontrollin e pasurisë së tyre.

“I bëj thirrje Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit që të nis menjëherë procedurën për kontrollin e pasurisë së të gjithë gjykatësve e prokurorëve. Gjithashtu presim që Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve që të vlerësojnë përgjegjësinë, profesionalizimin dhe punën e gjykatësve dhe prokurorëve për shkak të vjetërsimit të lëndëve gjyqësore. Gjithashtu do të kontrollojnë të gjitha vërtetimet mjekësore apo lejet që janë dhënë për të paraburgosurit për shkak edhe kanë ndodhur arratisje për t’iu shmangur vuajtjes së dënimit me burg”, tha Zaev.

Njohësit e çështjeve juridike, thonë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të diskutuar për këtë nismë është absurd, por edhe dëshmi se në çfarë gjendje ndodhet instanca më e lartë gjyqësore që vend, që detyrë parësore ka mbrojtjen e Kushtetutës.

“Jam thellë i bindur se kjo nismë nuk ka asnjë element juridik, apo se gjoja ka pasur shkelje të ligjit mbi punën e presidentit dhe se ai në kundërshtim me ligjin ka qenë i detyruara të tërheq faljen”, thotë ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Trendafil Ivanovski duke theksuar madje se veprimi i presidentit për të falur ish zyrtarët e lartë të qeverisë ka qenë një shkelje e rëndë dhe ndërhyrje në punën e pushtetit gjyqësor.

Ai thotë se nisma e tanishme, e iniciuar plotë tre vite pas paraqitjes së saj, flet qartë sipas Ivanovskit se në Maqedoni të Veriut ka forca që nuk ia duan të mirën vendit apo që me çdo kusht tentojnë të mbrojnë krimin e bërë.