Imunologu me çmim Nobel në Mjekësi: Pse nuk do të ketë një valë të dytë të Covid-19

E publikuar: 22/06/2020 18:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bruce Beutler, i cili ka marrë çmimin Nobel për Mjekësinë ne vitin 2011, thotë se nuk do të ketë një valë të dytë koronavirusi.

“Në shumicën e vendeve evropiane dhe Shtetet e Bashkuara, duket se numri i rasteve të reja dhe shkalla e vdekshmërisë po vijnë duke u zvogëluar gradualisht, edhe pse njerëzit filluan të dalin sërish, të kthehen në punë dhe të bashkëveprojnë më shumë. Së bashku me izolimin, ndryshimet në sjellje (distanca sociale, përdorimi i maskave) duket se kanë pasur efekte mbrojtëse. Popullsia nuk është aq e ndjeshme sa në fillim, kur asnjë nga këto masa nuk ishte marrë. Kjo është e vërtetë, megjithëse aktualisht vetëm një përqindje e vogël e popullsisë është infektuar. Por e gjithë kjo më shtyn të mendoj se nuk do të ketë valë të dytë”, është shprehur ai për mediat italiane.

Beutler, aktualisht drejtor pranë Qendrës Mjekësore Jugperëndimore në Dallas (SHBA) e fitoi Nobelin e Mjekësisë falë punës së tij në qelizat dendritike, me të cilat kontribuoi në zbulimin e disa prej sekreteve më të rëndësishme të mënyrës tek të cilat trupi ynë mbron veten nga sulmet e jashtme përmes sistemit imunitar, raporton Gazeta Express.

Sipas tij, megjithatë, “të gjitha masat themelore të parandalimit që kemi zbatuar nuk do të jenë të mjaftueshme për të eliminuar plotësisht virusin, dhe jeta e përditshme për të gjithë sigurisht që do të mbetet më e pakëndshme se më parë: ka shumë të ngjarë që vetëm një vaksinë efektive të jetë në gjendje për ta mposhtur plotësisht pandeminë”.

Por mund të ketë një vaksinë? “Ndoshta vitin e ardhshëm”, thotë imunologu, megjithëse nuk mund të ketë siguri në lidhje me jetëgjatësinë e efektivitetit të saj apo sasinë që do të jetë në dispozicion.

Sa i përket mundësisë që kanë asimptomatikët për të transmetuar virusin te të tjerët, Beutler është i bindur që ata mund të infektojnë edhe pse “një person asimptomatik është ndoshta më pak infektiv sesa një simptomatik”.

A ekziston mundësia e një dëmi afatgjatë për pacientët që shërohen nga infeksioni? “Në rastet e të prekurve rëndë që i mbijetojnë infeksionit, dëmtimi i mushkërive mund të jetë i përhershëm”.