Hoxhaj: Sjellja e Vuçiqit nuk duhet të tolerohet nga BE

E publikuar: 24/05/2019 17:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sipas Hoxhajt, presidentit serb nuk i intereson normalizimi me Kosovën.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili sot në një takim me përfaqësuesit e Listës serbe në Beograd ka thënë se pas samitit të Parisit do të ndërmarrin masa të ashpra kundër Kosovës.

Hoxhaj përmes një shkrimi në twitter është shprehur se Vuçiqi vazhdon ta dëshmojë që nuk i intereson normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

“Pikërisht para samitit në Paris, ai ka vazhduar me stilin e vjetër të logjikës së shantazhimit, duke kërcënuar popullin e Kosovës me agresion. Kjo sjellje është e patolerueshme për ne dhe nuk duhet toleruar as nga BE-ja”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Lidhur me deklaratën e Vuçiqit ka reaguar edhe kryeministri Ramush Haradinaj pas kësaj i bëri thirrje presidentit serb që të reflektojë, duke u shprehur se shteti i Kosovës është edhe i serbëve të Kosovës. “Reflekto Z. Vuçiç! Është koha që të prezantosh vlera europiane dhe jo qëndrime të cilat i ke prezantuar në të kaluarën, qëndrime këto që kanë shkaktuar tragjedi dhe dhimbje. Shteti i Kosovës është edhe shteti i serbëve të Kosovës, një shoqëri që ne e ndajmë së bashku”, ka shkruar Haradinaj në facebook.