Hoxhaj: S’e lejojmë Serbinë ta destabilizojë Kosovën

E publikuar: 28/04/2018 19:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Kosova do ta mbrojë secilin qytetar të saj dhe nuk do të lejojmë që as Serbia e as askush tjetër ta rrezikojë stabilitetin e brendshëm të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e tij në Facebook.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se nuk do të lejohet as Serbia, as kushdo tjetër ta cenojë stabilitetin e brendshëm të vendit, duke reaguar në arrestimin nga autoritetet serbe të një pjesëtari serb të Forcës të Sigurisë së Kosovës.

Në llogarinë e tij në Facebook ai ka shkruar se kjo është tjetër dëshmi që qartë tregon mosdëshirën e Serbisë për të normalizuar raportet me Kosovën, si edhe integrimin e serbëve në institucionet e vendit.

“Arrestimi i pjesëtarit serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga autoritetet serbe në vendkalimin kufitar në Konçul dhe lirimi i tij pastaj, është shqetësues dhe i papranueshëm, me tendencë për t’i shantazhuar pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë dhe për ta penguar integrimin e tyre në institucionet e sigurisë. Edhe një dëshmi tjetër që Serbia nuk e ka seriozisht normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, dhe nuk dëshiron ta lejojë integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e vendit tonë”.

“Jo më larg se javën që shkoi zyrtarë të lartë serbë kanë kërcënuar publikisht serbët e Kosovës, se do të dënohen me burg nëse vendosin të bëhen pjesë e Ushtrisë së Kosovës. Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vucic në një samit rajonal ka përdorur gjuhë dhe sjellje kërcënuese ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit. Ndërsa, tani ndodh ky arrestim dhe lirim me qëllim që t’i frikësojë pjesëtarët e tjerë serbë që janë, ose mendojnë të bëhen pjesë e FSK-së”.

“Kosova do ta mbrojë secilin qytetar të saj dhe nuk do të lejojmë që as Serbia e as askush tjetër ta rrezikojë stabilitetin e brendshëm të shtetit të Kosovës”.