Hoxha: SHBA-të demantuan kryeministrin e shkarkuar që keqpërdori detyrën dhe foltoren e Kuvendit për të mashtruar qytetarët

E publikuar: 27/03/2020 17:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hoxha: SHBA-të demantuan kryeministrin e shkarkuar që keqpërdori detyrën dhe foltoren e Kuvendit për të mashtruar qytetarët

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, në një konferencë për media tha se PDK-ja përshëndet deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit e cila sipas saj, demantoi kryeministrin e shkarkuar Albin Kurti, i cili sipas saj në foltoren e Kuvendi të Kosovës, mashtroi qytetarët.

“Ai si kryeministër keqpërdori foltoren e Kuvendit për të dezinformuar qytetarët se gjoja ekziston një marrëveshje e fshehtë për ndarjen e Kosovës. Njëherazi, na vjen keq që partnerët tanë janë detyruar të bëjnë këtë përgenjeshtrim si pasojë e mashtrimeve publike që kanë ardhur në vazhdimësi nga kryeministri i shkarkuar Kurti dhe veçanërisht në seancën e rrëzimit të Qeverisë. Ne shprehim shqetësimin për rrezikun e madh që sjell shtrëmbërimi i së vërtetës mbi qëndrimet e aleatëve tanë amerikanë. Këto manipulime, jo vetëm dëmtojnë partneritetin tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe cënojnë rëndë dinjitetin dhe reputacionin e shtetit të Kosovës”, tha Hoxha.

LEXO EDHE: Departamenti amerikan i Shtetit: S’ka marrëveshje sekrete, dialogu të çojë në njohjen e ndërsjellë

Hoxha, tha se “Partia Demokratike e Kosovës është e vetmja parti në vend që ka dhënë një vizion të qartë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke propozuar një platformë konkrete për këtë proces që në muajin prill të vitit 2018”.

“Për PDK-në dialogu është proces shumë i rëndësishëm, sepse me anë të tij mund të përmbyllet procesi i shtet-ndërtimit të Kosovës dhe të kurorëzohet plotësisht subjektiviteti ndërkombëtar i saj”, tha Hoxha.

“Ne e përshëndesim deklaratën e përbashkët të të dërguarit special të Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, përfaqësuesit special të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, si dhe ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett. Këtë deklaratë, që vjen nga nivelet më të larta të aleatit tonë më të madh, e konsiderojmë jo vetëm manifestim të mbështetjes së madhe për shtetin tonë, por edhe dëshmi të qëndrimit të unifikuar që ka Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit përkundrejt Kosovës”, tha ajo.

Hoxha, në fund të konferencës tha se Partia Demokratike e Kosovës, “gjen rastin që të deklarojë sërish, se i konsideron si prioritet kryesor lidhjet afërta dhe të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të vazhdojë që të punojë për t’i konsoliduar edhe më tej marrëdhëniet bilaterale me këtë shtet mik të përhershëm”.

“Po ashtu, ftojmë qytetarët e vendit që të mos bien pre e mashtrimeve të aktorëve apo faktorëve politikë, të cilët instrumentalizojnë në mënyrë të papërgjegjshme me këto raporte apo që spekulojnë për përfitime meskine politike me to”, përfundoi ajo.