Hoti ‘Platformën konsesuale’ të Veselit e quan pafuqi të koalicionit

E publikuar: 23/04/2018 10:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka shpalosur një Platformë të cilën ua ka drejtuar krerëve të LDK-së, VV-së, AAK-së, AKR-së dhe GDP-së.

Këtë Platformë, Veseli e ka quajtur “Platforma konsensuale dhe gjithëpërfshirëse e agjendës shtetërore në Republikën e Kosovës”, ndërkaq ka ngritur pesë çështje të rëndësishme që, sipas tij, janë parësore, dhe thotë se nevojitet përpilimi i një agjende shtetërore.

Bëhet fjalë për Dialogun me Serbinë, Themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, Themelimi i Ushtrisë së Kosovës, Agjenda e Integrimeve Evropiane dhe Reforma Zgjedhore, raporton Koha.net.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në një prononcim për Koha.net, ka thënë se LDK-ja do të marrë vendim në strukturat e veta lidhur me këtë platformë.

“Një gjë është e qartë se qeveria e pakicës nuk mund të dialogojë për çështje të interesit nacional. Nuk do të lejojmë që njerëz të papërgjegjshëm, të etur vetëm për pushtet, që nuk përfaqësojnë shumicën e qytetarëve të Kosovës, të dialogojnë në emër të Kosovës”, tha Hoti.

Sipas Hotit, Platforma e re për dialog me Serbinë, e aprovuar në Qeveri, është e varfër në përmbajtje.

“Nuk definon asgjë, siç janë temat për diskutim lidhur me të pagjeturit, kompensimi i dëmeve, kthimi i pensioneve etj. Dialogu i lihet në dorë presidentit, i cili duhet të sigurojë unitetin politik. Kjo reflekton pafuqinë e koalicionit qeverisës të pakicës për të udhëhequr proceset madhore të vendit”, tha Hoti për Koha.net.

Kujtojmë se në konferencën tashmë të rregullt javore të LDK-së, Hoti ngriti tri tema të rëndësishme për vendin, siç janë Raporti i BE-së për Kosovën, Platforma e re për Dialogun me Serbinë si dhe çështjen e organizimit të tryezës me partitë politike.

Hoti edhe të premten e javës së kaluar theksoi se koalicioni qeverisës nuk ka arritur të adresojë çështjet me rëndësi të lidhura me progresin e Kosovës drejt BE –së dhe as të krijojë konsensus politik për çështjet me rëndësi nacionale.

Hoti ka njoftuar edhe për një tryezë të partive politike, e cila pritet të mbahet këtë të mërkurë.

Dy nga çështjet themelore, në të cilat do të koncentrohet kjo tryezë janë: Mënyra se si të adresohen çështjet madhore për vendin, siç janë dialogu me Serbinë, reformat për integrim në BE, në të cilat çështje nuk duhet të ketë rivalitet politik, tash dhe në të ardhmen, gjatë fushatës zgjedhore dhe gjatë qeverisjes së ardhshme si dhe përgatitjet e nevojshme teknike për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe demokratike për të nxjerrë një qeveri stabile dhe të përgjegjshme./koha.net/