Hoti: Nuk ka zvarritje të marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes të LDK-së dhe VV-së

E publikuar: 29/10/2019 16:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk ka zvarritje të marrëveshje për krijimin e qeverisë mes LDK-së dhe LVV-së.

“Nuk ka zvarritje në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes të LDK-së dhe LVV-së. Qytetarët më 6 tetor kanë kërkuar ndryshim, duke votuar dy partitë opozitare pothuajse njëjtë, të cilat së bashku arrijnë mbi 50 përqind të mandateve në Kuvend, të mjaftueshme për të formuar qeverinë e re. Jemi duke punuar për të dakorduar një program qeverisës që reflekton këtë vullnet të qytetarëve “-tha Hoti,transmeton klankosova.

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së theksoi se me VV-në, kanë arritur pajtueshmëri shumicën e çështjeve.

“Deri më tani jemi pajtuar për madhësinë dhe organizimin e Qeverisë, e cila do të ketë vetëm 12 ministri që do të kursejë miliona euro dhe do të rrisë efikasitetin e qeverisjes. Kemi diskutuar në detaje programin për zhvillim ekonomik dhe punësim dhe jemi pajtuar për shumicën e çështjeve.

“Në takimet në ditët në vijim vazhdojmë diskutimet për rendin, ligjin dhe sigurinë, për arsim e shëndetësi, pastaj për politikën e jashtme. Jam i bindur se mund ta përmbyllim marrëveshjen sapo të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve. Pastaj, nuk do të humbim kohë në themelimin e institucioneve të reja. Të gjitha këto diskutime jemi duke i mbajtur në mënyrë transparente sa i përket temave dhe personave që po i zhvillojnë diskutimet, një praktikë kjo e pa zbatuar më parë në skenën politike”-theksoi Hoti.