Hoti ka thënë se në takimin me Presidentin Hashim Thaçi kanë diskutuar për dialogun me Serbinë

E publikuar: 15/06/2020 10:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se në takimin me Presidentin Hashim Thaçi kanë diskutuar për dialogun me Serbinë, teksa thotë se kompetencat janë qartë të shkruara në Kushtetutë, por se në këtë proces duhet të jenë bashkë.

Kështu tha ai para mediave, teksa shtoi se dëshiron konsensus të gjërë mes akterëve politik në vendin tonë.

“Unë do të mundohem të krijoj një konsensus të gjërë mes forcave politike. Ne jemi në pikën ku duhet të përmbyllet procesi përfundimisht, të konsolidohet shtetësia e Kosovës tek ndërkombëtarët.”, tha Hoti.

Ndër të tjera ai ka shtuar se Kryeministri dhe Presidenti i kanë rolet e ndara, mirëpo që në dialog me Serbinë duhet të jenë bashkë.

“Çështjet për kompetenca nuk shtrohet, ajo është shumë e qartë më Kushtetutë edhe aktgjykimi i Gjykatës të vitit të kalum është shumë i qartë. Ne i kemi rolet e ndara, por në këtë proces duhet të jemi bashë.

Ne jemi të gatshëm për dialog, e kemi artikuluar qartë qëndrimin tonë si qeveri, ia komunikova edhe Presidentit.”, ka thënë tutje ai.

Kujtojmë se Presidenti Thaçi vazhdimisht ka deklaruar se atij i takon të përfaqësojë vendin në dialog, teksa ky pritet të rifillojë shumë shpejt me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.

Pikërisht për këtë arsye nesër pritet që në vend të zhvillojë vizitë emisari i BE’së, Mirsolav Lajcak, ku pritet takohet me liderët e vendit.

Por, diplomati sllovak nuk dihet se a do të zhvillojë takim me Thaçin, duke marrë parasysh se ky i fundit disa herë nuk ka pranuar të flasë në telefon me të.