Historia e zgjedhjeve presidenciale në SHBA – nuk mund ta besoni se me çfarë çudirash janë karakterizuar ato!

E publikuar: 31/10/2016 00:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Historia e zgjedhjeve presidenciale në SHBA – nuk mund ta besoni se me çfarë çudirash janë karakterizuar ato!
Slogani më i keq elektoral në historinë e zgjedhjeve presidenciale amerikane i përket Al Smithit, i cili ishte kundër prohibicionit (ndalimit të prodhimit dhe shitjes së pijeve të forta alkoolike). Për të treguar mbështetjen e tij për prodhimin, shpërndarjen dhe shitjen e alkoolit, ai shpalli moton: ”Votoni Al Smithin, dhe ai do t’i bëjë të vërteta ëndrrat tuaja të lagështa”.

Zgjedhjet e vetme të “pastra” në historinë amerikane, qenë më gjasë ato të vitit 1789, kur Xhorxh Uashingtoni garoi pa asnjë rival. Madje edhe në atë rast, Aleksandër Hamiltoni u përpoq të vidhte vota nga zv.presidenti potencial, Xhon Adams.

Vetëm në vitin 1856, Kongresi Amerikan miratoi heqjen e pronësisë mbi tokës si një kusht për të qenë votues në zgjedhjet presidenciale.

Në vetëm një rast një kandidat i vdekur ka qenë pjesë e procesit zgjedhor. Gjatë zgjedhjeve të vitit 1872, presidenti në detyrë Uliks S. Grant garoi kundër një kufome. Rivali i tij, Horac Grilli, vdiq pak ditë para zhvillimit të zgjedhjeve. Sigurisht që zgjedhjet u fituan nga Grant.

Në vitin 1870, Kongresi miratoi Amendamentin 15, që i jepte të drejtën e votës afro-amerikanëve dhe njerëzve të tjerë jo të bardhë. Megjithatë, e drejta një zezaku për të votuar mohohej shpesh në pjesë të ndryshme të jugut dhe veriut të SHBA-së deri në vitin 1960.

Në vitin 1872, Suzan B. Entoni u arrestua pasi u përpoq të votonte në zgjedhjet presidenciale. Në të njëjtën kohë, Sozhurner Truth, një ish-skllave dhe avokate kërkoi të votojë në Miçigan, por u dëbua nga qendra e votimit. Gratë amerikane të të gjitha racave, e fituan të drejtën e votës vetëm në vitin 1920.

Kongresi i dha për herë të parë të drejtë indianëve në SHBA të votojnë në zgjedhjet presidenciale të vitit 1924. Megjithatë disa shtete i penguan ata të votonin deri në vitet 1940.

Xhorxh Uashingtoni e shpenzoi një pjesë të mirë të buxhetit të tij të fushatës për blerjen e 600 litrave pije alkoolike, për të qerasur votuesit e mundshëm.

Kushtetuta e SHBA-së nuk e përcaktonte në fillim datën e mbajtjes së zgjedhjeve, çka do të thoshte se në fillim të viteve 1800, qytetarët mund të votonin nga muaji prill deri në dhjetor. Në vitin 1845, Kongresi vendosi që dita e votimit të jetë të martën e parë pas të hënës së parë të nëntorit, që vinte pas të korrave të vjeshtës dhe para se kushtet e dimrit ta bënin udhëtimin shumë të vështirë.

Festa e inaugurimit të presidencës së Edrju Xheksonit ishte aq e egër, sa që presidenti doli vjedhurazi nga Shtëpia e Bardhë dhe e kaloi natën në një hotel. Në fund, shërbëtorët zvarritën deri në lulishte kazanët me ushqime, për të joshur turmën të dalë jashtë godinës presidenciale.

Norman Tomas i Partisë Socialiste të SHBA-së, garoi më shumë herë se çdo kandidat tjetër në histori . Ai tentoi presidencën 6 herë, por nuk arriti të zgjidhej në asnjë rast.

Xhorxh Uashingtoni hezitoi të bëhej president, dhe i vuri në dukje sekretarit të tij të ardhshëm të luftës, Henri Noks, se zgjedhja president e bënte të ndjehej sikur qe duke shkuar në “vendin e ekzekutimit të tij”.

Xhelozia e Xhon Adamsit mund të ketë pasur shumë të bëjë me mungesën e njohjes së tij publike se sa me një antipati ndaj vetë Uashingtonit. Xhon Adams ankohej se arsyeja e vetme pse Xhorxh Uashingtoni ishte “zgjedhur për çdo gjë”, duke përfshirë edhe si president, kishte të bënte me faktin se “ai ishte më i gjatë se cilido tjetër në dhomë”.

Deri në vitin 1937, presidentët nuk betoheshin para datës 4 mars të vitit të ardhshëm, pasi duhej shumë kohë për të numëruar votat dhe nxjerrë rezultatin e zgjedhjeve. Pas futjes në përdorim të teknologjisë më të mirë, Amendamenti 20 e zhvendosi ditën e inaugurimit mesditën e 20 janarit.

Kur demokrati Stefën A. Dagllas e quajti Abraham Linkolnin njeri “me dy fytyra” gjatë një viti elektoral, ky i fundit u përgjigj:”Po të kisha edhe një fytyrë tjetër, vërtet mendoni se do të mbaja këtë që kam aktualisht?”

Zgjedhjet e para ku u përdor një makineri votimi ishin ato të vitit 1892. Edhe pse pajisja qe shpikur më herët, kandidatët e kundërshtuan në fillim përdorimin e saj për shkak se eliminonte blerjen e votës.

Gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 1920, një kandidat nga një parti e tretë, Eugjen V.Debs, garoi në zgjedhje nga burgu. Ai ishte dënuar për shkak të kundërshtimit të Luftës së Parë Botërore. Në fund, Debs fitoi 3 për qind të votës popullore.

Xhorxh Uashingtoni ka mbajtur fjalimin më të shkurtër në ceremoninë e inaugurimit presidencial, me vetëm 135 fjalë. Ndërkohë ai i Uilliam Henri Herrisonit ishte 8.445 fjalë. Herrison foli për më shumë se dy orë nën një stuhi të madhe dëbore, nga e cila u ftoh dhe vdiq nga pneumonia një muaj më vonë.

Kontrolli i Misionit ka krijuar një fletëvotimi dixhitale për astronautët amerikanë që gjenden në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, në mënyrë që ata të mund votojnë në zgjedhje nga orbita përmes një e-maili të sigurt.

Partia Anti-Masonike, njihet si e para ”parti e tretë” në Shtetet e Bashkuara. Ajo mbajti kongresin e parë kombëtar në vitin 1832 në një vagon treni.

Xhon Kuinsi Adamsi, është presidenti i vetëm që humbi si votën popullore ashtu edhe atë elektorale dhe sërish u bë president i SHBA-së.

Viti zgjedhor 1800 ishte aq i nxehtë nga pikëpamja e përplasjeve politike, sa që zv.presidenti Aron Bër vrau Aleksandër Hamiltonin në një duel.

Ditën e zgjedhjeve presidenciale, është e paligjshme të konsumohet alkool në shtetet e Kentakit dhe Karolinës së Jugut.

Gjatë fushatës zgjedhore mes Xhon Kuinsit dhe Endrju Xheksonit, politika amerikane i ngjante më shumë grafiteve nëpër banjot publike dhe getot e qyteteve të mëdha se sa një ligjërimi politik normal. Për shembull, Xheksoni e etiketoi Kuinsin një tutor prostitutash, ndërsa ky i fundit tha se gruaja e Xheksonit ishte një zuskë dhe nëna e tij një prostitutë.

Kandidati presidencial është i detyruar të jetë të paktën 35 vjeç, të ketë banuar në vend për të paktën 14 vitet e fundit, dhe të jetë një qytetar amerikan i lindur në SHBA.

Xhorxh Uashingtoni, mendonte se një kandidat për president s’duhet të duket shumë i etur për të fituar presidencën, ose ta kërkojë në mënyrë aktive atë. Përkundrazi, ai tha se duhet të jetë “presidenca ajo që duhet të kërkojë njeriun”. Ai e cilësonte fushatën elektorale aktive si të padenjë, madje edhe vulgare.

Gruaja e parë që kandidoi për presidente e SHBA-së ishte Viktoria Udhall në vitin 1872, gati 50 vjet para se Amendamenti i 19-të të lejonte gratë të votonin. Ndërkohë po atë vit Frederik Dagllas, ishte i pari afro-amerikan që u nominua për zv.president. /bota.al/