Haradinaj: Përkujdesja për dinjitetin e pensionistëve detyrë dhe përkushtim i Qeverisë

E publikuar: 20/03/2019 15:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim përfaqësuesit e Federatës Sindikale të Pensionistëve, Invalidëve dhe të Moshuarve të Kosovës, prirë nga kryetari Sylejman Metaj.

Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj, falënderoi pensionistët për kontributin e tyre dhënë ndër vite, duke thënë se Qeveria po angazhohet në vazhdimësi në përmirësimin e kushteve jetësore të pensionistëve kosovarë.

“Me aprovimin e vendimit për rritjen e pensioneve bazike-sociale, kontributdhënëse dhe të parakohshme, Qeveria e Kosovës ka realizuar njërin nga prioritetet e saj dhe një nga proceset e identifikuara për përafrimin e Kosovës me BE-në”, tha kryeministri Haradinaj.


Kryeministri Haradinaj e ka konsideruar si detyrë të të gjitha institucioneve të vendit përkujdesjen për dinjitetin e pensionistëve.


Ndër temat e takimit, ishte edhe realizimi i së drejtës legjitime të kthimit të fondeve pensionale nga shteti serb.

Ndërkaq, kryetari Sylejman Metaj, falënderoi kryeministrin Haradinaj dhe Qeverinë në përgjithësi për angazhimin e tyre në përpjekje të përmirësimit të kushteve të pensionistëve dhe realizimin e të drejtave të tyre./Infosot/