Haradinaj: Luftëtari që e ka pas fatin e flijimit, është dëshmi se e ka ditur rrugëtimin deri në liri!

E publikuar: 30/05/2018 19:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në 19-vjetorin e rënies së Dëshmorëve të Kombit, Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj, nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, u mbajt Akademi Përkujtimore.

Në fjalën e tij kryeministri Haradinaj para të pranishmëve të shumtë, tha se nuk duhet harruar sakrifica dhe flijimi i dëshmorëve të kombit sepse mund të na përsëritet dhimbja.

“Është shumë me rëndësi tradita e nderimit të atyre që kanë bërë për lirinë. Kanë kaluar 20 vjet, ndoshta nuk është freskia e dhimbjes, sepse kanë kaluar dy dekada, por mos të harrojmë se është me rëndësi mos me humbë rezultatin e sakrificës, ne duhet me vazhdu me i nderu. Nëse e harrojmë rrugën tonë e sakrificën tonë, e rrezikojmë rezultatin e rrezikojmë të arriturën dhe rrezikojmë me na u përsëritë dhimbja”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se sot po bëhet një punë e mirë duke i nderuar dy luftëtarë që e meritojnë.

“Unë për Rasim Kiçinën kam dëgjuar gjatë luftës në Dukagjin, për emrin e tij dhe kush është ky luftëtarë dhe jam i bindur që Ragipi ka qenë në krah të Rasimit dhe nuk është rastësi që kanë rënë në ditët e fundit të ardhjes së lirisë”, tha kryeministri Haradinaj dhe shtoi se luftëtari që e ka pas fatin e flijimit, është dëshmi se e ka ditur rrugëtimin deri në liri.

“Zona e Operative e Drenicës ka qenë epiqendër e luftës për liri, duke i rënë barrë e madhe, por i ka rënë barrë me mbajt edhe flamurin e lirisë, flamurin që e vendosi Komandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe familja legjendare e jona e shqiptarëve e Familja Jashari dhe Adem Jashari”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj vlerësoi se borxhi ndaj familjeve të dëshmorëve është i përjetshëm, po ashtu jemi të vetëdijshëm se ne duhet ta kurorëzojmë këtë rrugëtim tonin me shtetin e plotë të Kosovës. Ne e forcojmë shqiptarin kudo që është, duke e forcuar Kosovën.

Nga një fjalë rasti mbajtën edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ndërsa një kumtesë tematike për jetën dhe veprën e dëshmorëve e paraqiti, Nusret Pllana. Në emër të familjeve të dëshmorëve Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj, të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti, Fejzi Kiçina.

Pjesëmarrës në këtë Akademi Përkujtimore ishin deputetë, ministra, kryetarë komunash, bashkëluftëtarë të dëshmorëve, familjarë, përfaqësues të organizatave të luftës së UÇK-së dhe qytetarë të shumtë./Infosot/