Haradinaj: Korrigjimi i kufijve na kthen në të kaluarën, duhet marrëveshje paqësore

E publikuar: 18/09/2018 15:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka mbajtur një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Haradinaj aty ka folur përsëri për idenë e korrigjimit të kufijve në kuadër të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, shkruan lajmi.net.

I pyetur për deklaratat e sotme të Presidentit Thaçi i cili tha se “kushdo që mendon që korrigjimi i kufijve sjellë luftë, e di edhe vetë që nuk është ashtu”, Haradinaj u shpreh se nuk beson që i është referuar deklaratave të tij.

Ai ripërsëriti se korrigjimi i kufijve e kthen Kosovën në të kaluarën.

“Nuk besoj që më është referuar mua në ato deklarata. Unë mendoj që detyra jonë është që mbrojmë Kushtetutën dhe integritetin territorial, nuk është e drejtë e jona që të flasim për territore pa mandate. Jam i bindur që synimi i një marrëveshjeje me korrigjim të kufijve është kthim prapa. Marrëveshja më e mirë do të ishte që të jetë paqësore, dhe një e tillë të ndodhë për të gjithë popujt e Ballkanit ngase dihet e kaluara e këtij regjioni”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj ka folur edhe për faktin që Qeveria e tij ka dy ministri me ushtrues detyre, ku u ka bërë thirrje partive politike që udhëheqin me ato ministri që të japin propozimet e tyre.

“Ne kemi bërë një lloj konsullte me partnerët, tash mendojmë që AKR-ja duhet të propozojë një ministër, kemi shpresuar që ajo të jetë femër, edhe në MTI shpresoj që NISMA që të dërgojë një propozim”, është shprehur ai.

Kujtojmë se qëndrime të njëjta në lidhje me korrigjimin e mundshëm të kufijve, Haradinaj kishte dhënë edhe mbrëmë në një emision televiziv.