Haradinaj jep skenarin e shpalljes së zgjedhjeve më 7 mars

E publikuar: 10/02/2016 21:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shpallja e zgjedhjeve dhe dorëheqja e Qeverisë Mustafa janë tashmë dy kërkesat kryesore, pas tërheqjes së nënshkrimeve nga Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Sot, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka mbledhur Këshillin Drejtues të AAK-së, me të cilët kanë diskutuar për protestën e 17 shkurtit, për të cilën kërkoi mobilizim në terren, por edhe shpalljen e zgjedhjeve, transmeton Koha.net.

Ai tha se vendi po shkon në zgjedhje. Sipas një skenari të tij, shpallja e tyre do të bëhet më 7 mars, që pa u menduar po i bie të jetë Dita e Mësuesit të kombit shqiptar.

“Vendi do të shkojë në zgjedhje. Në rrethana kur nuk ka kuorum në Parlament, ose në pamundësi për të zgjedhur presidentin deri më gjashtë mars, diku me shtatë mars shpallen zgjedhjet në Kosovë”, ka thënë Haradinaj para Këshillit Drejtues të AAK-së.

Kreu i AAK-së ka thënë se pas një periudhe 45-ditore, pas shtatë marsit, AAK-ja dhe partitë e tjera opozitare në Kosovë do të sjellin ndryshimin.