Haradinaj do imunitet për deputetët, VV-ja kërkon diskutim e LDK-ja shpreh rezerva

E publikuar: 15/12/2017 20:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Janë në krye të institucionit më të lartë ligjvënës në vend, por jo rrallëherë nga vendi si të zgjedhur të popullit ata kanë dalë me pranga në duar. 120 deputetët e Kuvendit janë të barabartë me 2 milionë qytetarët e Kosovës përpara ligjit.

E për këtë arsye, kryeministri i Kosovës po vazhdon të përsërisë se deputeti duhet të ketë imunitet, raporton KTV.

Se deputeti nuk gëzon imunitet jashtë fushëveprimtarisë së tij, e tha Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e saj më 2011-ën.

Por, kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, thotë se me këtë aktgjykim gjykata kishte dalë mbi kushtetutën.

Ajo thotë se duhet të ketë debat më të gjerë nëse kjo çështje duhet të bëhet me ndryshime ligjore apo kushtetuese.

Vazhdon të insistojë se veprimet e tyre në Kuvend kanë qenë të drejta e në kuadër të fushëveprimtarisë së tyre si deputetë.

Por, deputeti i LDK-së Driton Selmanaj thotë se çështja e imunitetit është e mjaftueshme me atë çfarë kanë sot.

Nëse kjo kthehet në Kuvend, ai e quan veprim të gabueshëm.

Në aktgjykimin e shtatorit të 2011-ës, Gjykata Kushtetuese thotë se imuniteti nuk pengon ndjekjen penale të deputeteve të Kuvendit për veprimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre si deputetë të Kuvendit.

Në cilësinë e tyre si qytetarë të rëndomtë, sipas Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, deputetët trajtohen njëlloj si të gjithë qytetarët e tjerë.