Haradinaj fton Radojiçiqin t’i përgjigjet drejtësisë, tregon se për çka bashkëpunoi me të

E publikuar: 30/11/2018 23:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur edhe për rastin që lidhet me arratinë e Milan Radojiçiqit.

“Ai është në listën e të kërkuarve, unë kam pasur respekt për të, kam pasur partneritet me te. Nuk e di të vërtetën e rastit, janë procedura ligjore që nuk mund t’i komentoj”, ka thënë Haradinaj.

Raportimeve se dikush nga Prishtina e dekonspiroi aksionin, duke aluduar pikërisht te Haradinaj, kryeministri në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se “kanë shkuar shumë larg, nuk është ashtu”.

I pyetur nëse e di se ku është, Haradinaj është përgjigjur me “po”.

“Po qysh jo. Ashtu siç e dini edhe ju, është në Beograd, del në televizor përditë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se çdo kush që kërkohet nga ligji duhet t’i përgjigjet ligjit.

“Edhe Radojiçiq”, ka thënë ai. “Derisa një gjykatë nuk e shpall të fajshëm unë e ruaj prezumimin e pafajësisë, në këtë rast të tij dhe të gjithkujt”, ka shtuar Haradinaj, si përgjigje nëse do të vazhdojë të bashkëpunojë me të. E ka treguar se për çka ka biseduar me të.

“Kam pasur bashkëpunim me të për ta integruar veriun, për të krijuar besim te qytetarët atje”, ka thënë ai.


Haradinaj komenton vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicë

Kryeministri Ramush Haradinaj ka komentuar edhe vendimin e sotëm të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, që ka kërkuar bashkimin e qytetit.

“Janë instanca komunale që e kanë trajtuar një temë. Unë nuk mundem t’i komentojë ato, por vendime të tilla i takojnë nivelit nacional”.

 23:39

Taksën ndaj Serbisë Haradinaj e quan moment të ri në marrëdhëniet me Serbinë, zor që e heqë ndokush

Situatë të re në marrëdhëniet Kosovë – Serbi e ka quajtur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, taksën 100 për qind për mallra serbe, nga e cila thotë se nuk e ka ndërmend të tërhiqet.

“Kjo situatë ka ardhur 10 viteve pas pavarësisë. Mendoj se mundësia që Kosova e Serbia të merren vesh në ato paramentrat e para taksës nuk ka dhënë efekt. Mendoj se taksa është një zhvillim i ri. Edhe kjo mund të zgjidhet me arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka thënë Haradinaj, në Interaktiv të KTV-së.

“Unë e quaj shkrimi i një libri të madh, me kapituj, ku njëri prej tyre është edhe shkëmbimi tregtar mes Kosovës e Serbisë. Por nuk besoj se do të hiqet kjo taksë pa njohjen e Kosovës nga Serbia”, ka thënë ai.

Haradinaj mendon se secili kryeministër që do të vinte pas tij e ka të vështirë që ta heqë këtë taksë ndaj Serbisë, ngase siç thotë, nuk është vetëm produkt i pikëpamjes së tij.

“E vetmja mënyrë për me heqë, ose nga unë ose nga dikush tjetër është nëse ndodh njohja e Kosovës nga Serbia”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se vendimi është me konotacion edhe ekonomik, por edhe të sigurisë kombëtare.

“Jemi të rrezikuar nga Serbia, na është rrezikuar shtetësia. Por po, e ka edhe konotacionin politik”, ka thënë Haradinaj.

Presionit të BE-së, Haradinaj i është përgjigjur me faktin që Kosova ka marrëdhënie shumë të mira me BE-në dhe me gjithë shtetet tjera.

“Taksa ka të bëjë vetëm me këto dy shtete. Ne me gëzim do ta kishim heqë këtë, nëse na njeh Serbia e Bosnja”, ka thënë Haradinaj. “Ashtu siç na kërkon znj. Mogejrini e z. Hahn, duhet ta kuptojnë se po, ekziston kjo mundësi që ne ta heqim taksën, por vetëm të ndodhë njohja. Vetëm këtë e kërkojmë”, ka thënë Haradinaj.

Këtë thotë se ia kanë shpjeguar edhe ambasadorëve të Quintit.

Haradinaj ka thënë se Kosova e mirëpret edhe thirrjen nga miqtë amerikan, në këtë rast direkt nga Sekretari Pompeo, që taksa të hiqet.

“Edhe ne mendojmë se është më mirë të hiqet, por kjo të ndodh me njohjen e Kosovës nga Serbia”, ka thënë Haradinaj.

Kur ka folur për veriun, ai ka thënë se i kanë marrë shkresat e kryetarëve të Komuanve të veriut, dhe se e kanë dilemë se a kualifikohen si dorëheqje.

t’i trajtojmë. Unë kam respekt për kryetarët e Komunave. Kemi punuar me ta. Mendoj se është e udhës që ata t’i kthehen punëve në të mirë të qytetarëve të vendit, dhe t a kuptojnë se taksa nuk është e drejtuar ndaj tyre, por ndaj Serbisë. Është një temë Prishtinë – Beograd, e kurrsesi një temë Prishtinë – Leposaviç”, ka thënë Haradinaj. “Mos e teproj, por, ata i referohen si Kosova – Metohi diçka që ne s’e njohim”.

 23:26

Haradinaj tregon përvojën e parë në Komision Hetimor Parlamentar, atij për gylenistët shpreson t’i ketë ndihmuar

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur në Interaktiv të KTV-së, për përvojën e tij të parë si pjesëmarrës në një Komision Hetimor parlamentar.

Ka thënë se shpreson se me përgjigjet e tij t’u ketë ndihmuar deputetëve.

“Përgatita një material, një total të veprimeve të atëhershme që janë marrë, një kronologji se si ka shkuar ngjarja. U përgjigja në pyetje të deputeteve. Ishte një përvojë e parë për mu, se s’kam qenë ndonjëherë. Shpresoj t’i kam ndihmuar Komisionit”, ka thënë Haradinaj, teksa ka vlerësuar se Komisioni ishte i fokusuar, dhe se mendon se e ka marrë me seriozitet këtë punë.

Haradinaj nuk ka komentuar mungesën e Thaçit në këtë Komision.

Ka thënë se di se nga Turqia ka edhe kërkesa të tjera për ekstradim të shtetasve turq, por atij, thotë vetë Haradinaj, nuk ia ka hapur asnjë zyrtar i lart turk çështjen e mbylljes së shkollave të rrjetit Gulen.

“Me thënë të drejtën më duket absurde, sepse vetë zyrtarët e lartë turq kanë marrë pjesë në hapjen e tyre. Tash ato funksionojnë sipas ligjeve tona në Kosovë dhe nuk ka arsye për t\i mbyllur” thotë Haradinaj.

I pyetur nëse Erdogan është i mirëseardhur në Kosovë, Haradinaj ka thënë se çdo president i një vendi mik është i mirëseardhur në Kosovë.