Haradinaj Demakut: Ju priftë e mbara miqtë e mi

E publikuar: 26/10/2016 16:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj është përshëndetur me kolegun Fadil Demaku, pas dorëheqjes të këtij të fundit nga posti i deputetit. Ai ka thënë se pavarësisht dallimeve partiake ka një respekt të veçantë për Fadilin.

“Krahas dallimeve politike, gjithmonë ka ekzistuar një respekt i veçantë për Fadilin dhe familjen Demaku. Familje kjo që ka qenë dhe mbetet pjesë e familjes time. Sot në komision u ndamë përkohësisht me mikun tonë Fadilin. Respekt për deputetët e komisionit që unanimisht nderuan kolegun tonë. Ju priftë e mbara miqtë e mi.” ka shkruar Haradinaj.

Ditën e kaluar pas vendimit të Gjykatës së Apelit, ku është konfirmuar dënimi që ka dhënë Gjykata Themelore e Mitrovicës më 15 maj të vitit 2015 ndaj të akuzuarave në rastin e njohur si “Drenica II”, deputeti i PDK-së, Fadil Demaku ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.