Hamilton: Administrata e Trumpit s’po ka kohë të merret me Kosovën, e Merkeli po heq dorë

E publikuar: 06/02/2019 10:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump nuk ka edhe aq kohë për Ballkanin.

Kështu ka thënë Daniel Hamilton, ekspert në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin “Johns Hopkins”.

“Zëri i Amerikës” në gjuhën serbe thotë se ky njohës i shquar i rrethanave evropiane nuk është i bindur se Washingtoni, e madje as kryeqytetet evropiane, do të bëjnë përpjekje të mjaftueshme për të përshpejtuar procesin e integrimit euro-atlantik të vendeve të mbetura të Ballkanit Perëndimor.

Hamilton, i cili ka qëndrim më të ashpër në krahasim me ballkanologët tjerë, thotë se SHBA-ja, nën drejtimin e Trumpit, nuk ka kohë të merret me rajonin.

“Administrata [e Trumpit] po tenton ta zhvendosë çështjen e Ballkanit Perëndimor në Evropë, ndërsa evropianët nuk po harxhojnë shumë kohë në këtë rajon. Zyrtarë të rëndësishëm amerikanë që e njohin këtë terren, nuk janë më në pozita. Thjeshtë, nuk ka asnjë person në nivel të lartë që merret veçanërisht me çështjet e Ballkanit. As prania amerikane në atë rajon nuk është veçanërisht e madhe përveç në Kosovë, e cila është me rëndësi kyçe nga pikëpamja e pranisë ndërkombëtare për banorët atje, por jo aq e madhe sa Amerika të mund të ndryshojë diçka”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Sipas tij, gjërat nuk qëndrojnë më mirë as në bllokun evropian, ku kancelarja Angela Merkel ka provuar të bëjë më shumë për rajonin viteve të kaluara, por kohëve të fundit po heq dorë.

“Kancelarja Merkel viteve të fundit ka provuar të merret më shumë me atë rajon, por kohëve të fundit po heq dorë. Britanikët, shteti i dytë më i rëndësishëm që merret me këtë çështje, së shpejti nuk do të jetë anëtare e asnjë prej institucioneve të Bashkimit Evropian. Franca asnjëherë nuk ka luajtur ndonjë rol veçanërisht të madh. Si rezultat i rrethanave, Austria është angazhuar, por ndikimi i saj nuk është i mjaftueshëm për të bërë diçka”, shton ai.

Në ndërkohë, ndikimi i vendeve jo-evropiane është forcuar, i ka thënë ai “Zërit të Amerikës”.

“Jo vetëm ndikimi i shtetit rus, por edhe ai i krimit të organizuar rus. Edhe kinezët janë po ashtu ambiciozë të investojnë në Evropë. Vendet islame kanë një ndikim të dukshëm në Bosnje dhe në pjesë tjera të rajonit. Turqia po ashtu është angazhuar për arsyet e veta, jo gjithmonë si pjesë e qasjes Perëndimore. Veç kësaj, liderët politikë në shumicën e vendeve po vjedhin nga popullata e tyre dhe po i shfrytëzojnë levat shtetërore për të mbetur në pushtet”, ka thënë Hamiltoni.

Sipas tij, qytetarët e Ballkanit Perëndimor janë bërë vazhdimisht e më cinikë si pasojë e premtimeve të moçme se në një të ardhme të afërt do të bëhen pjesë e gjirit evropian.

“Në përfundim të konflikteve të armatosura të viteve të 1990-ta, pas tragjedisë në Bosnje dhe luftës në Kosovë, bashkësia ndërkombëtare ka ndërmarrë një sërë projektesh për pajtim dhe rindërtim të këtyre vendeve pas luftës. Nga atëherë ka kaluar kohë shumë e gjatë”.

Hamilton thotë se Ballkanit Perëndimor i nevojitet edhe më tej angazhimi i përbashkët nga të dyja anët e Atlantikut.