Gruaja e drejtorit të QKMF’së në Skenderaj dyshohet se referoi një pacient në laboratorin e saj privat

E publikuar: 26/05/2018 22:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me një letër po dyshohet se është kryer referimi i një pacienti nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Skenderaj në një laborator privat, i cili gjendet në afërsi të qendrës.
Në copat e letrave (që mund t’i shihni në storie më poshtë), përveç analizave që janë shkruar aty, janë shkruar edhe çmimi me të cilin secila analiza do të kryhet.

Është asamblisti i Vetëvendosjes në këtë komunë, Hysni Mehani, i cili thotë se ditë më parë, një familjare e tij nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare u referua që t’i kryente këto analiza.

Mehani thotë se këtë referim e kreu gruaja e drejtorit të kësaj QKMF-je, Miradije Kadriu, e cila punon në shërbimin e laboratorit në këtë qendër.

E përkundër faktit se këtë problematikë e ngrit disa herë në Kuvendin Komunal, Mehani thotë se asnjëherë nuk mori përgjigje.

Por, drejtori i QKMF’së në Skenderaj, Fazli Kadriu, i ka mohuar akuzat se bashkëshortja e tij e kreu një referim të tillë.

Derisa pranon se gruaja e tij është pronare e Laboratorit “Jonila”, që është në afërsi të objektit të Qendrës së Mjekësisë Familjare, thotë se asnjë prej punëtorëve të tij nuk ka kryer referime edhe në rastet kur disa prej analizave nuk kryhen në institucionin që ai drejton.

KTV’ja ka kontaktuar edhe me Miradije Kadriun, por ajo nuk ka pranuar të flasë para kamerës. Derisa ka mohuar të ketë referuar ndonjë pacient në laboratorin i cili është në emër të saj.

KTV’ja gjithashtu ka kontaktuar edhe me drejtorin e Shëndetësisë në këtë komunë, Osman Veliu.

Veliu ka thënë se është informuar për rastin, por ende nuk ka një përgjigje për këtë rast, duke thënë se nuk mund të flasë më shumë për të.

Ndryshe, neni 41 i ligji për shëndetësi e ndalon referimin e pacientëve nga një institucion publik në sektorin privat.