Grainca: LDK po punon për ta kthyer opozitën në Kuvend

E publikuar: 26/11/2015 00:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizjet janë të përditshme për të dal nga kriza politike, sipas deputetit të LDK-së, Blerim Grainca që ishte mysafir në Interaktiv të KTV-së, duke thënë se edhe thirrjet e seancave janë thirrje për të dal nga kriza.

“LDK ka qenë e hapur qysh nga fillimi i kësaj krize për të diskutuar në Kuvend, sepse ai është vendi ku duhet debatuar”, tha Grainca duke thënë se kjo është forma për të gjetur një formulë që i përshtatet të gjitha palëve, transmeton Koha.net. Ai tha se deputetët e LDK-së janë duke punuar 24 orë për t’i përafruar deputetët e opozitës në ndaljen e veprimeve të tyre dhe kthimin në Kuvend.

Ai ka thënë se nuk komenton asnjë deklaratë që ka dalë në medie, por i pranon ato deklarata në Kuvendin e Kosovës, qoftë edhe ato të Shpëtim Bulliqit, deputet i LDK-së, i cili ka argumentuar me dokumente se demarkacioni me Malin e Zi është jo korrekt. Grainca tha se nëse opozita po e paraqet një problem që nuk po e diskuton me bllokim, që sipas tij nuk ka kuptim.

Ndërsa për Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, deputeti Grainca tha se e dimë që nuk është më e mira, por e nevojshme për këtë kohë, duke shtuar se pezullimi nga Gjykata Kushtetuese është aryse të ndalin protestat.

Deputeti Grainca i quajti veprimet e opozitës si tendencë për të arritur tek pushteti dhe se me gaz nuk zgjidhet asgjë. Ai tha se ndërkombëtarët kanë halle më të mëdha në rrafshin ndërkombëtar të krizave dhe se nuk ka kohë të merret me çështjet në Kosovë.

Ndërsa për arrestimin e deputetëve, ai shkurt tha se organet ligjore i kanë punët e veta dhe se po i ndjekin deputetët që kanë shkelur ligjin. Në rastin e Armend Zemajt që ka hedhur gotën drejt deputetëve të opozitës, Grainca tha se nuk e ka dëgjuar pranimin e Zemajt për këtë veprim dhe se nëse do të ndiqet nga ligji, beson tek veprimet e tij në këtë rrafsh.

Blerim Grainca bëri thirrja te opozita që 28 nëntori të jetë i qetë dhe pa incidente.