Goli i Hadergjonajt zgjidhet si më i miri në “Play-Off” në Ligën e Kombeve

E publikuar: 15/10/2020 15:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Javët e fundit kemi pasur mundësinë ta përcjellim Kombëtaren e Kosovës në Ligën e Kombeve ku kanë pasur ndeshje në kuadër të “Play-Off” ndaj Maqedonisë së Veriut, Sllovenisë e së fundmi kundër Greqisë.

Ndeshja e parë mes Kosovës dhe Maqedonisë ishte thuajse një biletë e sigurt drejt “Euro2020” por që “Dardanët” në fund nuk arritën ta nxjerrin një rezultat pozitiv, duke e humbur ndeshjen me rezultat minimal 2:1. Golin e vetëm për Kosovën e dha mbrojtësi që po luan si sulmues anësorë, Florent Hadergjonaj.

Përballjen tjetër ndaj Sllovenisë, Kosova e vazhdoi përsëri me humbje, ku rezultati përfundimtar ishte 1:0 në favor të Sllovenisë. Vlen të përmendet se Kosova kishte shumë mungesa ku disa lojtarë janë të lënduar dhe disa nuk i kanë lejuar klubet e tyre përkatëse që të udhëtojnë me kombëtaren.

Dhe së fundmi, mbrëmë ndaj Greqisë, Kosova arriti të nxjerrë vetëm një pikë me rezultat përfundimtar 0:0. Mungesat ishin të shumta tek “Dardanët” por pavarësisht kësaj arritën që të tregonin një lojë të bukur.

Sot, në kuadër të Ligës së Kombeve, është zgjedhur edhe goli më i mirë i “Play-Off”, çmim të cilin e fitoi lojtari “Dardan” Florent Hadergjonaj. Menjëherë pas pranimit të çmimit, Hadërgjonaj postoi në rrjetin e tij social “Facebook” golin e tij duke u vërejtur se ishte shumë i lumtur.

“Ndjenjë e papërshkruar kur shënon gol për vendin tëndë, por edhe i lumtur që fitova garën për golin më të mirë të Play-Off në Ligën e Kombeve” postoi ai.