Gjest i rrallë në NBA: Trajneri i Clippersave mori “time-out” dhe u kërkoi fansave ta nderojnë me duartrokitje Nowitzkin

E publikuar: 26/02/2019 15:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjesti rrallë ka ndodhur gjatë mbrëmjes së kaluar në ndeshjet e ligës së basketbollit në botë NBA.

Dallas Mavericks kanë pësuar humbje kundër skuadrës së Los Angeles Clippersave me rezultat 121:112.

Por, vëmendjen më të madhe e ka marrë trajneri i klipersave, Doc Rivers i cili në një moment kërkoi ‘time-out’ shkaku i Dirk Nowitzkit.

Në fakt, kishin mbetur nëntë sekonda deri në përfundim të ndeshjes kur strategu kërkoi një minutë pushim dhe u kërkoi tifozëve të pranishëm në Staples Center ta duartrokisnin basketbollistin gjerman të Dallasit.

E gjithë kjo pasi 41-vjeçari po luan sezonin e fundit si basketbollist profesionist, duke i dhënë fund karrierës 21-vjeçare, ku ka pasur në total 1500 ndeshje.

Gjatë kësaj periudhe shtatgjati ka pasur një mesatare prej 21 pikëve, 7.6 kërcimesh dhe 2.4 asistimesh për ndeshje.

Ndryshe, lojtari do të mbahet mend si lojtari më i mirë evropian i basketbollit që është paraqitur ndonjëherë në “The National Basketball Association”. /Telegrafi/