Gjermania refuzon propozimin e Trumpit për lejimin e kthimit të Rusisë në Grupin G7

E publikuar: 27/07/2020 08:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, ka thënë në një intervistë se Gjermania e ka refuzuar propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për ta ftuar presidentin rus, Vladimir Putin, që ta kthejë vendin e tij në Grupin G7 të ekonomive të zhvilluara.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë e kishte përmendur propozimin për rikthimin e Rusisë në këtë grup muajin e kaluar. Rusia është përjashtuar nga Grupi G7 në vitin 2014 për shkak të aneksimit të Krimesë nga Ukraina, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Sidoqoftë, kryediplomati gjerman tha për gazetën “Rheinische Post” se nuk sheh ndonjë mundësi për lejimin e kthimit të Rusisë në G7 përderisa nuk ka përparim kuptimplotë në zgjidhjen e konfliktit në Krime dhe në pjesën lindore të Ukrainës.

Maas tha se vetë Rusia do të mund ta bënte kontributin më të madh për t’u bërë pjesë e këtij grupi përsëri duke kontribuuar në një zgjidhje paqësore për konfliktin e Ukrainës.

Ai shtoi se marrëdhëniet e tanishme me Rusinë janë të vështira në shumë fusha, por se përfshirja e këtij vendi është e nevojshme për zgjidhjen e konflikteve, siç janë ato në Siri, Libi dhe Ukrainë. “Kjo nuk do të funksionojë kundër Rusisë, por vetëm me Rusinë”, tha ministri gjerman.

Gjermania, që e ka marrë presidencën e BE-së më 1 korrik, ka marrë gjithashtu rol ndërmjetësues për zgjidhjen e konflikteve në Libi dhe Ukrainë. Ministri Maas tha se Rusia duhet të japë kontribut, që ka qenë shumë i ngadalshëm në Ukrainë.