GDP gërshetohet me Partinë Socialdemokrate, kryetar Shpend Ahmeti ose Visar Ymeri (Video)

E publikuar: 04/05/2018 20:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Largimi i një grupi të deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje, pastaj formimi i Grupit të Pavarur të Deputetëve, kanë krijuar dilema për të ardhmen e funksionimit të tyre partiak.

Prej 9 majit, çdo gjë do të jetë e qartë.

Ata do ta bëhen pjesë e Partisë Socialdemokrate, duke e marrë udhëheqësinë dhe nisur punën për krijimin e strukturave.

Kryetari aktual i Partisë Socialdemokrate, Bajram Kelmendi, ka bërë të ditur procesin e arritjes së marrëveshjes mes GDP-së dhe Partisë Socialdemokrate.

 

“Kemi pasur oferta edhe prej partive të tjera tash pas zgjedhjeve. Ka qenë e interesuar edhe Nisma Socialdemokrate për të bërë një bashkëpunim. Por, përfaqësuesit e GDP-së kanë qenë më këmbëngulës”.

“Iniciativa ka qenë e tyre. Më së pari e kanë kontaktuar Kaçusha Jasharin, kryetaren e nderit të Partisë Socialdemokrate. Mandej, jemi takuar bashkë. Kemi formuar një grup pune”.

“Sa i përket kryetarit, nuk është mirë të paragjykojmë, por janë përmendur dy emra…Shpend Ahmeti, ose Visar Ymeri”, tha Kelmendi në Info Mgazine të Klan Kosovës.

Ai konsideron se pozita e kryetarit të Partisë Socialdemokrate iu takon deputetëve të aderuar në këtë parti.

“Ata janë në Parlament dhe iu takon posti i kryetarit, pasi në fund të fundit, edhe buxheti është i tyre”.

Për më tepër, ai ka thënë se Kuvendi Zgjedhor i kësaj partie do të mbahet të mërkurën e ardhshme.

“Me Grupin e Deputetëve të Pavarur kemi bërë një marrëveshje të shkruar për anëtarësimin e tyre kolektivisht në Partinë Socialdemokrate të Kosovës”, tha Kelmendi për Info Magazine të Klan Kosovës.

“Kuvendi do të mbahet ditën e mërkurë, më 9 maj. Jemi marrë vesh të mos i zbulojmë detajet e marrëveshjes”.

“Parimisht, ata anëtarësohen në PSD. Në Kuvend Zgjedhor zgjedhen organet e reja që do të jenë të përziera – edhe prej partisë sonë, edhe prej të rinjve që vijnë”.

“Statuti ynë lejon që në mes kuvendeve, kur anëtarësohen të rinjtë, të zgjerohen edhe forumet, strukturat e partisë”.

“Do të shkojmë sipas statutit tonë dhe marrëveshjes”.

“Një përqindje e caktuar e pozitave udhëheqëse do të jetë prej strukturave të vjetra, kurse të tjerat do të jenë nga të rinjtë”.