Fushata e takimeve informative të edicionit të 7-të të ICT Awards nis me Tiranën dhe Prishtinën

E publikuar: 06/03/2019 21:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edicioni i 7-të i ICT Awards nisi javën e kaluar një prej fazave më emocionuese të kësaj gare në Institutin Harry Fultz ndërsa vijoi ditën e sotme me dy takimet të tjera në Tiranë dhe Prishtinë me të rinjtë dhe të rejat kreative në fushën e teknologjisë, informacionit dhe komunikimit që u pritën plot gjallëri.

Nxënësit e ekselencës të “Harry Fultz” shkëmbyen përvojat e tyre në ndërtimin e robotëve me të pranishmit.

E kthyer tashmë në një traditë, këto takime organizohen pranë shkollave, universiteteve, qendrave të inovacionit dhe hapësirave të komunitetit të teknologjisë me qëllim që të inkurajojë pjesëmarrjen në ICT Awards.

Në Tiranë ekipet e ICT Awards vizituan Studentët Master Siguri Informacioni të Fakultetit të Ekonomisë. Me pritjen e profesorit të këtij fakulteti Gjergji Mulla i cili ka qenë edhe anëtare jurie pranë ICT Awards, studentët që morën pjesë shprehën një interes të veçantë për kategorinë Cyber Security e cila çdo vit ka qenë ndër më të kërkuarat në mesin e aplikantëve.

Në Prishtinë ICT Awards ishte pranë Qendrës Social-Edukative “Don Bosko” ku u mirëprit nga drejtori z.Izidor LLukiq dhe profesori Arianit Gegaj.

Në të dy takimet u shpalosen detajet e ICT Awards, kriteret e garës, çmimet, shpërblimet dhe mënyrat e vlerësimit të kandidatëve dhe aplikantëve që zgjedhin ti bashkohen edicionit të 7-të.

Prezantimit i garës përpara nxënësve dhe studentëve u bë me praninë e bashkëthemeluesit Kushtrim Shala dhe koordinatorit Ardian Alaj.

Edicioni i kësaj gare përmban shtatë kategori, disa prej të cilave pjesë e ICT Awards që nga edicioni i parë: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Mobiliteti i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje, Gruaja në ICT, ICT Shërbimi Publik i Vitit dhe Cyber Security.

Takimet e ditës së sotme gjithashtu shënojnë hapjen e një maratone disa javore ku ICT Awards do të vizitojë qytete të ndryshme të Shqipërisë për të zgjuar vëmendjen e shqiptarëve drejt inovacionit dhe kreativitetit.

Ekipet e ICT Awards do të jenë pranë studentëve, novatorëve, të rinjve dhe rejave, adhuruesve dhe entuziastëve të botës së teknologjisë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia në javët në vijim.

Kjo fushatë do të përmbyllet me afatin e fundit të aplikimeve që është data 31 Mars. Çdo ditë të gjithë ata që kanë zgjedhur ti besojnë ICT Awards punën, projektet dhe idetë e tyre më të çmuara mund të aplikojnë përmes uebsajtit www.ictawards.org në njërën prej shtatë kategorive të vlerësimit.

Gjithashtu për të rejat më të fundit rreth takimeve, vlerësimeve dhe shpërblimeve që sjell kjo garës qëndroni të informuar përmes faqes zyrtare të ICT Awards në rrjetin social Facebook.

ICT Awards nis këtë edicion të 7-të me mbështetjen tradicionale dhe të çmuar të sponsorëve Raiffeisen Bank, Fondacionit Dritan Hoxha dhe Albvision.

Edicioni i 7-të është një shans i ri, një fillim i një sfide të re për Shqiptarët novatorë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi dhe kudo në diasporë.

Albanian ICT Awards fton të gjithë shqiptarët kandidatë potencial nga mbarë trojet shqiptare dhe diaspora që janë krijues në fushën e Teknologjisë të bëhen pjesë e garës së vetme mbarëkombëtare.