Fraksion Plus bëhet gati t’ia zë ulëset Vetëvendosjes

E publikuar: 10/03/2016 18:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtarët e Fraksion Plus janë të gatshëm që të shkojnë në Kuvend dhe të përfaqësojnë vullnetin e votuesve të tyre nëse Vetëvendosje vendos ta braktisë Kuvendin.

Edhe nëse deputetët e tri partive opozitare do t’i dorëzojnë mandatet e tyre, Kuvendi i Kosovës nuk do të mbetej pa opozitë. Kjo për faktin se anëtarët e Fraksion Plus janë të gatshëm që të shkojnë në Kuvend dhe të përfaqësojnë vullnetin e votuesve të tyre.

Njëri nga themeluesit e kësaj organizate, Arben Gecaj thotë se nëse deputetët e Vetëvendosjes braktisin Kuvendin, atëherë kandidatët të cilët tashmë janë pjesë e Fraksionit do të jenë pjesë e Kuvendit.

Gecaj thotë se deputetët aktual të Vetëvendosjes nuk e përfaqësojnë më votuesin e kësaj partie sepse ata sipas tij, kanë devijuar nga ajo që i është premtuar elektoratit, raporton Tribuna Channel.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se nëse deputetët aktual të partive opozitare dorëhiqen nga mandati i deputetit, atëherë të njëjtit duhet të zëvendësohen më anëtarë të tjerë qe janë në lista të pritjes të po të njëjtave subjekteve dhe po të njëjtave gjini.

Por, nëse kandidatët tjerë të cilat janë në listë të pritjes nuk i dëshirojnë mandatet, atëherë ato shpërndahen proporcionalisht tek subjektet të cilat kanë kaluar pragun 5%.