EULEX-i, rol këshillëdhënës pas 15 qershorit

E publikuar: 11/05/2018 18:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Ramush Haradinaj me shefen e EULEX-it Alexandra Papadopoulou biseduan për Misionin Europian për Sundim të Ligjit.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, duke folur për EULEX-in Haradinaj tha se sukseset e misionit janë edhe suksese të Kosovës.

“Duke vlerësuar rolin e EULEX-it përgjatë këtyre viteve në Kosovë, kryeministri Haradinaj theksoi se sukseset e EULEX-it dhe të Kosovës janë të përbashkëta dhe në funksion të ndërtimit të besimit të qytetarëve për institucionet e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Komunikata sqaron se shefja e EULEX-it Alexandra Papadopoulou informoi Haradinajn për përfundimin e mandatit të EULEX-it.

“Kryeministri Haradinaj u informua për rrjedhën e përfundimit të mandatit të EULEX-it dhe procesin e shkëmbimit të letrave në mes të Presidentit dhe Përfaqësues së lartë të BE-së, znj. Mogherini”, tregohet në komunikatë.

Komunikata bën me dije se edhe pas përfundimit të mandatit EULEX-i do të ketë rol në Kosovë.

“Shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, falënderoi kryeministrin për pritje, duke theksuar se edhe pas përfundimit të mandatit, EULEX-i në rolin këshillëdhënës do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Qeverinë në fuqizimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit”, shpjegon komunikata.

Mandati aktual i EULEX-it përfundon më 15 qershor./Kallxo.com/