Elvana Shala, Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Kosovën

E publikuar: 07/03/2016 13:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Puna si Ambasadore e Vullnetit të Mirë më bën të ndihem e privilegjuar. Ky mision zakonisht iu besohet njerëzve të cilët kanë dhënë kontribut të vazhdueshëm ndër vite në çështjet humanitare, çështjen e të drejtave të njeriut etj. Një mision të tillë përfaqësues diplomatik dhe jofitimprurës, kryesisht e mbajnë yje të njohura botërore.

Unë pata fatin të jem Ambasadorja e parë e Vullnetit të Mirë për Kosovën, bazuar në përvojën dhe kontributin tim për 12 vite rresht në fushën e të drejtave të njeriut, udhëheqjen e aktiviteteve humanitare, si dhe duke bashkëpunuar me dhjetëra organizata vendore e ndërkombëtare. Është një mision me sfida, suksese, por edhe me përgjegjësi të mëdha, duke pas parasysh që çdo përfaqësim i imi në arenën ndërkombëtare bëhet në emër të Republikës së Kosovës, një emër të cilin me krenari e përçoj në çdo vend të botës.

Detyra ime kryesore është përfaqësimi i Kosovës në konferenca e samite të ndryshme ndërkombëtare, në Kombet e Bashkuara dhe më gjerë, duke mbrojtur dhe promovuar të drejtat e popullit të Kosovës, kulturën, dhe humanitetin, me një fjalë, vetë shtetin e Kosovës në përgjithësi. Gjithmonë mundohem që t’i jap një imazh pozitiv shtetit më të ri në Evropë. Unë jam e mishëruar me këtë punë, e cila tashmë është bërë pjesë e pandashme e imja”,shprehet Elvana.