Efekti tronditës i ligjit për “agjentët e huaj”

E publikuar: 27/01/2018 10:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rusia e ashpërsoi muajin e kaluar ligjin e ashtuquajtur “për agjentët e huaj”, për të vënë në shënjestër mediat e huaja që veprojnë në vend. Kjo do të thotë se qeveria mund t’u kërkojë organeve të mediave që ta deklarojnë veten “agjentë të huaj” dhe t’i nënshtrohen një kontrolli intensiv të personelit dhe financimeve. Zëri i Amerikës është një nga organizatat e medias, të përfshira në këtë kategori. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, një legjislacion i ngjashëm u propozua në vitin 2012 kundër grupeve të shoqërisë civile që marrin mbështetje të huaj.

Para zyrave të organizatës së të drejtave të njeriut “Memorial” në Ingusheti, në fillim të këtij muaji, dy persona u xhiruan nga kamerat e sigurisë, duke hipur në një shkallë, para se t’i vinin flakën ndërtesës. Autoritetet mohojnë çdo lidhje me sulmin.

“Memorial” është vënë në shënjestër shpesh për përpjekjet për dokumentimin e krimeve historike në periudhën sovjetike, si edhe shkeljet e ditëve të sotme. Organizata u cilësua si “agjent i huaj” në vitin 2015, nën akuzat se merrte mbështetje financiare mes të tjerësh edhe nga Fondi Kombëtar amerikan për Demokraci dhe Komisioni Evropian.

“Na duhet të shpenzojmë shumë kohë në gjykatë, na duhet të shpenzojmë shumë kohë duke mbrojtur veten, sepse jemi nën kontrollin e ashpër të shtetit dhe kjo do të thotë që edhe më gabimi më i vogël i mundshëm, nga mënyra se si se sheh shteti, sjell si pasojë një gjobë ose kërcënim për eliminim”, thotë drejtori ligjor i organizatës, Kirill Korotev.

Shumë vetëve ligji për “agjetët e huaj”, u kujton denoncimet e periudhës së Stalinit ndaj të akuzuarve si spiunë anti-sovjetikë.

“Edhe vetë shprehja, pa dyshim që është marrë hua nga periudha staliniste e “terrorit të madh”. Është shumë e qartë”, thotë​ Kirill Koroteev.

“Levada” bën studime sociale dhe anketa. Edhe kjo organizatë është cilësuar si “agjent i huaj” dhe i është ndaluar të punojë gjatë fushatës së zgjedhjeve të ardhshme të Rusisë.

“Askush nuk kontrollon se përse u përdorën fondet e huaja, nuk u intereson. Kryesorja është që damka mbetet dhe kjo krijon përshtypjen se ka diçka të papastër, që punon për të huajt dhe nëse dikush punon për të huajt, do të thotë që është kundër Rusisë”, thotë​ Denis Volkov me qendrë​n Levada.

Moska thotë se ligji ka si synim që të ndalojë ndërhyrjen e huaj me qëllime keqëdashëse në politikën ruse. Në rrugët e Moskës, të paktë ishin ata që donin të flisnin për këtë temë. Ata që pranuan, shprehën mbështetjen për qeverinë.

“Unë mbështes çdo gjë që është në interesin kombëtar, që është për të mirën tonë dhe më vjen mirë. Ndoshta unë jam patriot, por mendoj se do të mbijetojmë edhe pa këto prani të huaja”.

Organizata Human Rights Watch thotë se ligji ka pasur një efekt tronditës: deri në shtator 2017, Rusia kishte futur 158 grupe në listën e “agjentëve të huaj” dhe gjykatat kishin vendosur gjoba marramendëse kundër atyre që nuk respektojnë ligjin. Organizata përllogarit se 30 grupe të shoqërisë civile janë mbyllur.