Dyshohet për varrezë masive në Podujevë

E publikuar: 01/03/2016 15:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka lokalizuar vendin e ashtuquajtur “Pishat” në periferi të Podujevës, pasi që janë ngritur dyshimet se në këtë pjesë gjendet një varrezë masive me trupa të personave të zhdukur.

Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline kryetari i Shoqatës së Personave të Pagjetur “Përkorë” në Podujevë, Latif Mehmeti, sipas të cilit gërmimet do të fillojnë në ditët në vijim.

“Në pjesën e ashtuquajtur ‘Pishat’, dyshohet për një varr, i cili dihet fare qartë se është varr. Aty më parë kishte therra e bërllok, mirëpo tani e kanë pastruar punëtorët e kompanisë sonë, dhe është vërejtur një gropë e madhe për të cilën dyshojmë se është varrezë masive”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka bërë të ditur se menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dal njësia e policisë për krime lufte, e kanë rrethuar dhe e kanë pastruar vendin më mirë.

“Tani po presim vetëm urdhrin e prokurorit për të filluar gërmimet, sepse deri më tani edhe kushtet atmosferike ishin të rënda, pasi që kishte shumë ujë dhe nuk mund të punohej në atë pjesë”, ka theksuar Mehmeti.

Sipas tij, në Podujevë dyshohen se nga lufta e fundit rezultojnë të jenë të zhdukur 85 persona, e që prej tyre 45 janë identifikuar dhe kanë mbetur edhe 40 të paidentifikuar.

Latifi po ashtu tha se në afërsi të kësaj varreze, ishin zhvilluar gërmime edhe para 7 vitesh, mirëpo nuk gjetën asgjë.

“Afër këtij vendi, në vitin 2009 kemi hulumtuar sepse kishim informata për një varrezë masive, por nuk gjetëm asgjë, dhe tani po shikojmë në këtë pjesë”, ka thënë Latifi për Indeksonline.

Kujtojmë se në mbarë Kosovën figurojnë të zhdukur edhe 1671 persona nga lufta e fundit./rtklive.com/