Dy grabitës qëlluan me armë burrë e grua në Tiranë, policia jep detajet

E publikuar: 19/01/2020 23:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të tjera detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur këtë mbrëmje në afërsi të Alliasit në Tiranë, ku dy persona të maskuar kanë qëlluar burrë e grua në banesën e tyre në rrugën “Njazi Meka”.

Çifti Petrit dhe Afërdita Laze janë qëlluar me armë zjarri në momentin kur janë përballur me dy grabitës që kishin hyrë në banesën e tyre për të vjedhur.

Njëri prej grabitësve ka qëlluar menjëherë në drejtim të burrit e gruas.

Sipas informacioneve të deritanishme, në gjendje më të rënduar ndodhet 60 vjeçari Petrit Laze, i cili ka marrë një plumb në bark. Burrë e grua ndodhen aktualisht në spitalin e traumës në Tiranë, ndërsa policia ka përcjellë këtë njoftim të dytë mbi ngjarjen:

Tiranë/Informacion paraprak

Rreth orës 21:40 në rrugën “Njazi Meka”,  2 persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e çiftit të bashkëshortëve P.L dhe A.L.

Në momentin që janë konstatuar nga çifti i bashkëshortëve njëri prej personave ka  qëlluar me armë zjarri në drejtim të çiftit.

Si pasojë janë plagosur çifti i bashkëshortëve P. L   dhe     A. L, të cilët u dërguan në spital për ndihmë mjekësore.

Policia ka shkuar në vendngjarje  dhe ka ngritur pika kontrolli.

Vijon krehja e zonës me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Gupi hetimor vijon punën pēr sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes.