Dosjet që do ta tronditin opinionin, UDB+OZNA!

E publikuar: 05/04/2015 21:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ku gjenden dhe kush e përbëjnë dosjen prej 280 vetave, pjesë e UDB-së?!

Çfarë do të përfitonte Kosova me publikimin e dosjeve dhe të atyre që ishin bashkëpunëtorë të UDB-së, por edhe OZNA-s, shërbimit serbo jugosllav famëkeq antishqiptar?

Dobitë do të ishin nga më të ndryshmet, përveç se Kosova do të çlirohej nga kontrolli serb, po ashtu do të merrnin fund edhe një pjesë e konsiderueshme e politikanëve të komprometuar.

Hapja e dosjeve dhe publikimi i listave të bashkëpunëtorëve shqiptarë të UDB-së, por edhe të paraardhëses së saj OZNA-s, po konsiderohet si një domosdoshmëri e kohës. Publikimi i emrave të njerëzve bashkëpunëtorë të UDB-OZNA-s, do të trazonte opinionin dhe jetën politike në Kosovë.

Njohësi i rrethanave politike në vend, Arbër Gashi vlerëson se publikimi i listave të bashkëpunëtorëve të UDB-së do të duhej të bëhej paralel me publikimin e listave dhe dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shqipërisë.

“Listat e bashkëpunëtorëve të UDB-ës duhet të publikohen gjithsesi dhe kjo duhet të ndodhë përmes një procesi të dënimit institucional dhe kombëtar të veprimtarisë gjenocidale të pushtuesit sllavokomunist në trojet shqiptare. Procesin e publikimit të listave të bashkëpunëtorëve të UDB-ës do të ishte e preferueshme dhe shumë domethënëse ta përcjellë edhe publikimi i listave dhe dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të Shqipërisë”, thotë Gashi për “Bota sot”.