Dikur Veseli i çonte mesazhe të rënda Haradinajt, tash nuk po guxon ta përmend taksën

E publikuar: 14/08/2019 18:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kadri Veseli dje ka bërë një postim në Facebook pasi shtetet e QUINT’it kërkuan heqjen e taksës për ta nisur dialogun. Veseli shkroi me tone pozitive por nuk premtoi se do ta heq taksën, ndryshe prej muajit të kaluar kur tha se kur Amerika kërkon heqjen e saj Kosova duhet të bëhet më e mençur dhe të mos flas me Ëashingtonin si me Serbinë. Gazeta Express ka kontakuar zyrtarë të PDK’së për t’i pyetur rreth qëndrimit “final” rreth kësaj cështjeje, por asnjë prej tyre s’ka folur. Analistët Imer Mushkolaj e Astrit Gashi thonë se PDK nuk guxon të flasë kundër taksës për shkak të votave.

Thyerja që ekzistonte brenda koalicionit PAN doli në media vetëm pas vendosjes së taksës prej 100 për qind.

Pa i bërë dy vite së bashku në qeveri, partnerët u dakorduan që t’i vendosin taksë fillimisht 10 për qind për produktet serbe e boshnjake, si masë kundërshtuese për politikën e egër të shtetit serb kundër Kosovës.

E tash që vendi do të shkojë në zgjedhje kanë filluar kalkulime tjera,përvec Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës.

Në këtë kohë janë rreshtuar njësoj edhe LDK e cila më parë vendimin e Haradinajt e quante popullist, ndërkohë që as VV nuk shprehet e prerë.

Kadri Veseli që muajin e kaluar foli fjalë të rëndaj ndaj Haradinajt duke i thënë se kërkesave të Amerikës për heqjen e taksës po i përgjigjet njësoj sikur Serbisë, ende nuk e ka sqaruar mirë se çfarë pozite po do të mbajë partia e tij për këtë temë. Veseli nuk po e thotë në publik se do të heq taksën, kjo pasi që ai e dinë se kjo mund t’i përkthehet në humbjë në elektorat, derisa ka gjetur një mënyrë të mirë për të mbajtur punët në vijë edhe më ndërkombëtarët.

Kur veçse ka filluar të bëjë fushatë ende pa u shpallur zgjedhjet, Veseli vetëm tërthorazi premton heqjen e taksës duke thënë se në zgjedhje do të vendoset për të ruajtur aleancat me miqtë ndërkombëtarë.

“Këto zgjedhje do të jenë vendimtare ku qytetarët do të vendosin pro atyre që ruajnë dhe forcojnë aleancat me miqtë ndërkombëtarë, apo pro atyre që i trajtojnë partnerët ndërkombëtarë si të ishin armiq dhe e lënë Kosovën të vetmuar”, ka deklaruar sot i parti i PDK-së.

Se çfarë qëndrimi do të mbajë zyrtarisht partia e tij, përveç se nuk e ka bërë të ditur i pari i PDK-së, nuk po pranojnë ta komentojnë as vartësit e tij.

Gazeta Express ka provuar gjatë gjithë ditës të marrë një përgjigje për këtë çështje, por, që nga PDK nuk kanë provuar të komentojnë punën e taksës. Megjithatë mësohet se një vendim i tillë do të diskutohet në një mbledhje të partisë.

Megjithatë, këtë qëndrim të PDK-së, po e komentojnë nga AAK-ja. Deputeti Muharrem Nitaj i ka thënë sot Gazetës Express, se e konsideron lajm të mirë ripozicionimin e partive tjera në raport me taksën.

“E konsideroj lajm të mirë ripozicionimin e partive politike në raport me taksën. Kjo është një ogur i mirë dhe më flet bukur shumë se qëndrimi i pa kompromis i Kryeministrit Haradinaj, as për ta konsideruar heqjen e taksës, paska qenë i drejtë”, shprehet Nitaj, teksa kritikon edhe ata që e lanë të vetëm Haradinajn atëherë kur kishte presion për heqje të taksës.

“Është për keqardhje që Kryeministri Haradinaj, nuk u mbështet kur e kishin mbështetur me shpatulla për muri me kërkesë heqjen e taksës, por më mirë vonë se kurrë! S’ka problem, kush të mbërrin le t’i marrë meritat. Për neve si Aleancë, rëndësi ka qe të ketë unitet për tema nacionale dhe njëra prej tyre është edhe taksa! Po duket që në Kosovë, vonë boll, por megjithatë po arrihet konsensusi për taksën. Tash ka mbetur veç Edi Rama pa u deklaru, e shumë i ka pas dhënë zjarr me e pezullu këtë taksë!!”, ka përfunduar ai.

Në anën tjetër, analistët po thonë se taksa do të shfrytëzohet për fushatë nga të gjitha partitë politike.

Duke folur për Gazetën Express, analisti Imer Mushkolaj ka bërë të ditur se është shumë e rrezikshme në sy te lexuesve të thuhet se taksa do të hiqet.

“Jo veç PDK, po besoj krejt partitë kanë me e shfrytëzu taksën për fushatë, nëse do të ketë zgjedhje gjithmonë, për shkak se është shumë populiste, shumë popullore, edhe në sy të votuesve është shumë e rrezikshme me thanë që ka me e hjekë taksën.

Deklaratat e tilla janë kundër veprimeve që duhet me i ndërmarrë kushdo që vie në pozitën e kryeministrit, pasi që duhet me e pezullu taksën, edhe secili prej këtyne liderëve që mundet me thanë se nuk e hjek taksën, e dinë se ka me pezullu, në një periudhë të caktuar, varësisht prej një marrëveshje që bëhet. Po tham ma shumë janë këto deklarata prej frikës se mundet me ndiku në elektorat”, thotë ai, derisa shton se Veseli nuk është hera e parë që ka ndryshuar qëndrime.

“Nuk është hera e parë që ndërron qëndrime, nuk më befason kurrgjë jo te Veseli por te kërkush prej liderëve, së pari ka thënë se ne e kemi vendosë taksën e pastaj kërkojke ajo me u hjekë, dikur nuk hjeket me asnjë çmim, njëjtë si Hashim Thaçi. Nuk ka befasi, ai nuk befason, Veseli vetëm na tregon se cka do me thanë metamorforza me qëndrime prej atyre që janë radikale karshi një cështje deri te ndërrimi 180 shkallë varësisht qysh ndryshon përceptimi politik apo i njerëzve, s’është befasi na tregon për luhatshmërinë te njerëzit që merren me politikë në Kosovë, sidomos Veselit”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, analisti Astrit Gashi po thotë se PDK është pro heqjes së taksës, e kjo që po bën ai është nga frika për t’u treguar i sinqertë më elektoratin.

“PDK është pro heqjes së taksës. Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli por edhe disa nga vartësit e tij, këtë e thonë hapur që nga janari. PDK nuk ka ndryshuar mendje në këtë pikë, duke lënë paqartësi e dykuptimësi ajo po bënë një lojë elektorale sepse frikësohet që duke treguar sinqerisht se është për heqje të taksës do të humb vota. Thjeshtë PDK në çështjen e taksës është duke u treguar e pasinqertë me elektoratin, asgjë më tepër”, thotë Gashi./GazetaExpress/